Trumpi thotë se bashkëshortja e urren vallëzimin e tij
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, merr brohoritje nga mbështetësit, kur vallëzon në skenë në tubimet e tij politike, por të martën zbuloi se zonjës së parë, Melania Trump, nuk i pëlqen mënyra se si ai vallëzon.
“Gruaja ime e urren, kur unë e bëj këtë” – tha presidenti gjatë një fjalimi para ligjvënësve të Partisë Republikane në Uashington. “Ajo është person me shumë klasë, apo jo? Ajo tha: “Ky [vallëzim] është shumë jopresidencial”. Unë thashë: “Por unë u bëra president” – shtoi ai, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zonja e parë nuk ishte e pranishme në këtë tubim.
“Unë thashë se të gjithë duan që unë të vallëzoj” – tha më tej kreu i Shtëpisë së Bardhë para ligjvënësve amerikanë, duke sjellë ndër mend një bisedë që tha se e kishte me gruan e vet. “I dashur, kjo s’është presidenciale”. Ajo në të vërtetë tha, “A do të mund ta imagjinoje Rooseveltin duke vallëzuar” – shtoi Trumpi.
“Unë i thashë se është një histori e gjatë të cilën ajo ndoshta nuk e di, sepse ai ishte një burrë elegant, edhe si demorkat” – tha presidenti më tutje.
Ish-presidenti Franklin Roosevelt ishte i paralizuar nga mesi e poshtë për shkak të poliomielitit, por rrallë ishte fotografuar në karrocë kur ishte president.
Sekretari për shtyp i zonjës së parë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.



