Trumpi thotë se dosjet e reja lidhur me Epsteinin e shfajësojnë atë
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se publikimi i miliona dosjeve të reja lidhur me rastin Epstein, jo vetëm që e shfajëson atë, por madje është e kundërta e asaj që siç ka thënë, e majta radikale shpresonte.
“Nuk i pashë vetë, por disa njerëz shumë të rëndësishëm më thanë se jo vetëm që më shfajësojnë mua, por është e kundërta e asaj që shpresonin njerëzit, e dini, e majta radikale”, u ka thënë Trumpi gazetarëve të shtunën në mbrëmje ndërsa fluturonte për në Florida.
Dosjet e qeverisë amerikane të zbuluara së fundmi mbi Jeffrey Epstein kanë nxitur dorëheqjen e zyrtarit të lartë sllovak, Miroslav Lajçak, dhe kanë ringjallur thirrjet në Britani që ish-Princi Andreë të ndajë atë që di me autoritetet rreth lidhjeve të Epstein me individë të fuqishëm në të gjithë botën.
Pasojat vijnë vetëm një ditë pasi Departamenti i Drejtësisë filloi të publikojë një mori dosjesh që ofrojnë më shumë detaje rreth ndërveprimeve të Epstein me të pasurit dhe të famshmit, pasi ai kreu dënimin për krime seksuale në Florida.
Departamenti i Drejtësisë i presidentit, Donald Trump, ka thënë se do të publikojë më shumë se 3 milionë faqe dokumentesh së bashku me më shumë se 2,000 video dhe 180,000 imazhe sipas një ligji që synon të zbulojë pjesën më të madhe të materialit, që janë mbledhur gjatë dy dekadave të hetimeve që përfshinin financierin e pasur.
Presidenti amerikan, Donald Trump, përmendet mbi 1.000 herë në miliona dokumente të lidhura me Jeffrey Epstein, të publikuara së fundmi nga Departamenti i Drejtësisë.
Disa përmendje janë të parëndësishme, por të tjera përfshijnë akuza të paverifikuara për abuzim seksual dhe dëshmi nga viktima të Epsteinit që përshkruajnë kontakte të mundshme me Trumpin, raporton CNN.
Dokumentet përfshijnë shënime të FBI-së për akuza të vjetra, përfshirë një padi nga një grua që e akuzoi Trumpin për përdhunim kur ajo ishte 13 vjeçe, si dhe deklarata të një viktime që ka thënë se Ghislaine Maxëell e kishte “prezantuar” atë te Trumpi në një festë, megjithëse ajo kishte shtuar se nuk kishte ndodhur asgjë mes tyre.
FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë kanë theksuar se këto akuza janë të paverifikuara dhe të pabazuara.
Trumpi i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka deklaruar se dokumentet e shfajësojnë atë.
Publikimi i dokumenteve erdhi pasi Kongresi miratoi një ligj që detyroi lirimin e tyre, pavarësisht përpjekjeve fillestare të Trumpit për ta ndaluar.
Dosjet hedhin dritë mbi marrëdhënien e gjatë të Trumpit me Epsteinin dhe kanë ringjallur debatin publik, pa sjellë prova përfundimtare kundër tij.



