
Trumpi thotë se India ofroi heqjen e tarifave për mallrat amerikane
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thotë se India është ofruar të ulë tarifat e saj “në zero”, edhe pse e quajti ngërçin aktual tregtar me vendin “një katastrofë krejtësisht të njëanshme”.
Tarifat amerikane prej 50% për mallrat nga India – të cilat përfshijnë një gjobë prej 25% për refuzimin e Delhit për të ndaluar blerjen e naftës nga Rusia – hynë në fuqi javën e kaluar, transmeton Telegrafi.
India nuk i është përgjigjur komentit të fundit të Trump, por një luftë e tillë fjalësh mbi naftën ruse ka bërë që lidhjet Delhi-Uashington të arrijnë nivelin më të ulët historik.
Komenti i Trump përkon me pjesëmarrjen e kryeministrit indian, Narendra Modi, në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në Tianjin, ku ai u takua me presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin rus Vladimir Putin.
Uashingtoni thotë se Delhi ka financuar në mënyrë indirekte luftën e Rusisë në Ukrainë.
“India blen shumicën e produkteve të saj të naftës dhe ushtarake nga Rusia, shumë pak nga SHBA-ja”, shkroi Trump, duke shtuar se Delhi duhet t’i kishte ulur tarifat “vite më parë”.
Delhi më parë ka thënë se furnizimi me naftë nga Rusia ishte jetik për të përmbushur nevojat energjetike të popullsisë së saj të madhe.
Gjithashtu i ka quajtur tarifat “të padrejta, të pajustifikuara dhe të paarsyeshme”.
Javën e kaluar, ministri i tregtisë së vendit, Piyush Goyal, tha se India “nuk do të përkulet dhe as nuk do të duket kurrë e dobët” në marrëdhëniet e saj ekonomike me vendet e tjera.
Ai tha gjithashtu se vendi ishte gati të kishte një marrëveshje të tregtisë së lirë me këdo që e dëshironte atë.
“Ajo që pak njerëz e kuptojnë është se ne bëjmë shumë pak biznes me Indinë, por ata bëjnë një sasi të jashtëzakonshme biznesi me ne. Me fjalë të tjera, ata na shesin sasi të mëdha mallrash, “klientin” e tyre më të madh, por ne u shesim shumë pak – Deri më tani një marrëdhënie krejtësisht e njëanshme, dhe ka qenë për shumë dekada”, shkroi Trump të hënën.
SHBA-të ishin, deri vonë, partneri më i madh tregtar i Indisë dhe tarifat kanë ngjallur frikë se eksportet, dhe rritja në ekonominë e pestë më të madhe në botë mund të vuajnë.
Në samitin e SCO-së, Modi u pa duke shtrënguar duart me Putinin përpara një takimi të organizuar nga Xi.
SCO, anëtarët e së cilës përfshijnë Kinën, Indinë, Iranin, Pakistanin dhe Rusinë, shihet si një sfidë për Trump dhe dominimin e SHBA-së në nivel global.
Putin dhe Modi më vonë kaluan 45 minuta brenda makinës së udhëheqësit rus – pas së cilës Modi postoi një fotografi të udhëtimit të tyre së bashku me komplimentin për Putinin.
Kryeministri indian tha se pati një shkëmbim “të thellë” me Putinin.