
Trumpi thotë se largimi i tij nga G7 nuk ka lidhje me armëpushimin
Presidenti amerikan Donald Trump, sapo postoi në rrjetin e tij social Truth, duke thënë se presidenti francez gabon kur thotë se Trump u largua nga samiti i G7 herët për të punuar për një armëpushim.
“Është shumë më e madhe se kaq”, shkroi Trump.
“Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili po kërkon publicitet, tha gabimisht se unë u largova nga samiti i G7 në Kanada për t’u kthyer në Uashington për të punuar për një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit. Gabim! Ai nuk e ka idenë pse jam duke shkuar në Uashington tani, por sigurisht që nuk ka të bëjë fare me armëpushimin. Është shumë më e madhe se kaq. Me qëllim apo jo, Emmanuel gjithmonë bën gabime. Vazhdoni të na ndiqni!”, shkroi Trump.
Ndërkohë, udhëheqësit e shtatë ekonomive kryesore demokratike të botës, të mbledhur në një samit në Kanada nën kujdesin e grupit G7, lëshuan një deklaratë të përbashkët për median pas takimit.
Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ditët e fundit, konflikti midis Izraelit dhe Iranit, ishte tema kryesore e diskutimit, dhe në këtë drejtim, anëtarët e G7 deklaruan se “përsërisin mbështetjen e tyre për sigurinë e Izraelit” dhe se janë “konsistent që Irani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore”.
Anëtarët e G7 gjithashtu bëjnë thirrje për një zgjidhje të krizës iraniane që do të çonte në një de-përshkallëzim të plotë të armiqësive në Lindjen e Mesme, duke përfshirë një armëpushim në Rripin e Gazës. Mbi të gjitha, theksohet mbrojtja e civilëve në të gjitha zonat.