Trumpi urdhëron bllokimin e cisternave të naftës të sanksionuara brenda dhe jashtë Venezuelës
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka thënë se po urdhëron një bllokadë “totale dhe të plotë” të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.
Në një postim në Truth Social, ai tha se qeveria e udhëheqësit venezuelian, Nicolás Maduro, ishte përcaktuar si një organizatë terroriste e huaj dhe e akuzoi atë për vjedhjen e aseteve amerikane, si dhe për “Terrorizëm, Kontrabandë Droge dhe Trafikim Qeniesh Njerëzore”.
“Prandaj, sot, po urdhëroj NJË BLLOKADË TOTALE DHE TË PLOTË TË TË GJITHA CISTERAVE TË SANKSIFIKUARA TË NAFTËS që hyjnë dhe dalin nga Venezuela”, shtoi ai, shkruan BBC.
Komentet e tij erdhën një javë pasi ShBA-të sekuestruan një cisternë nafte në brigjet e Venezuelës. Në një deklaratë, qeveria e Venezuelës tha se hodhi poshtë “kërcënimin grotesk” të Trump.
Në postimin e tij, Trump tha se Venezuela ishte “plotësisht e rrethuar nga Armada më e madhe e mbledhur ndonjëherë në Historinë e Amerikës së Jugut”.
Ai shtoi se ajo “vetëm do të bëhet më e madhe” dhe “do të jetë si asgjë që ata kanë parë ndonjëherë më parë”.
Trump akuzoi gjithashtu qeverinë e Maduros për përdorimin e naftës së vjedhur për të “financuar veten, terrorizmin e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore, vrasjen dhe rrëmbimin”.
Administrata Trump e ka akuzuar vazhdimisht Venezuelën për kontrabandë droge dhe që nga shtatori ushtria amerikane ka vrarë të paktën 90 persona në sulme ndaj anijeve që pretendohej se transportonin fentanil dhe droga të tjera të paligjshme në SHBA.
Në muajt e fundit, ShBA ka zhvendosur gjithashtu anije luftarake në rajon.



