Trumpi urdhëron zyrtarisht heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë

01 korrik 2025 | 13:36

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi zyrtarisht një urdhër ekzekutiv për të hequr rrjetin e sanksioneve kundër Sirisë, hap ky që pritet të hapë rrugën për investime të reja në vend, më shumë se gjashtë muaj pas rrëzimit të Presidentit Bashar al-Assad.

Sipas një deklarate nga Departamenti Amerikan i Thesarit, urdhri i nënshkruar të hënën ofron lehtësime të sanksioneve për “subjektet thelbësore për zhvillimin e Sirisë, funksionimin e qeverisë së saj dhe rindërtimin e strukturës shoqërore”.

Ky veprim përfshin gjithashtu një rishikim të përcaktimeve ekzistuese që e lidhin Sirinë me terrorizmin, me qëllim hapjen e rrugës për bashkëpunim ndërkombëtar, shkruan Al Jazeera.

Qeveria siriane ka qenë subjekt i sanksioneve të rënda amerikane që prej fillimit të luftës civile në vitin 2011, të cilat kanë ndikuar negativisht në përpjekjet për rimëkëmbje ekonomike dhe sociale.

Ministri sirian i Punëve të Jashtme dhe i Emigrantëve, Asaad Hassan al-Shaibani, e përshëndeti vendimin përmes një postimi në platformën X, duke e quajtur atë “një hap që do të hapë dyert për rindërtim dhe zhvillim të shumëpritur”.

Ai shtoi se kjo masë do të largojë një pengesë të rëndësishme për rimëkëmbjen ekonomike dhe do të ndihmojë në rikthimin e vendit në skenën ndërkombëtare.

Programi i mëparshëm i sanksioneve, i bazuar edhe në shkeljet e të drejtave të njeriut nga regjimi i mëparshëm, ka penguar rëndë procesin e rindërtimit dhe ka shtyrë ekonominë siriane drejt kolapsit.

Trump kishte premtuar masa lehtësuese për Sirinë gjatë vizitës së tij në Lindjen e Mesme në muajin maj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Caritas-i Zviceran në Kosovë në kuadër të aktivitetit “Agro Media…