Trumpi zotohet për ndërtimin e murit, konfirmon samitin e dytë me Kimin

06 shkurt 2019 | 11:10

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shfrytëzuar të martën fjalimin e tij drejtuar kombit, për t’u zotuar edhe një herë se do të ndërtojë murin me Meksikën.

Kjo temë është kthyer në çështje të ndarjes së thellë partiake në ShBA, derisa Trump ka thënë edhe se “hetimet qesharake” të demokratëve mund të dëmtojnë prosperitetin amerikan.

Ai ka mbajtur fjalimin në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres, ndonëse është duke u përballur me mospajtime politike rreth kërkesave të tij për të ndërtuar murin, i cili ka thënë të jetë shumë i nevojshëm për të ndalur imigrimin ilegal dhe kontrabandimin e drogës.

Ai e ka cilësuar imigrimin ilegal si “krizë kombëtare urgjente”, mirëpo nuk është ndalur shumë tek ideja për shpalljen e gjendjes emergjente, e cila do t’i lejonte atij të siguronte paratë për murin pa miratimin e Kongresit.

Në vend të saj, presidenti amerikan u ka bërë thirrje demokratëve dhe republikanëve që të gjejnë një kompromis deri më 15 shkurt.

“Në të kaluarën, shumica e njerëzve në këtë dhomë kanë votuar për murin, mirëpo muri i duhur nuk është ndërtuar asnjëherë. Do të ndërtohet”, ka thënë Trump para Kongresit.

Për demokratët, një ide e tillë konsiderohet e paefektshme dhe humbje e të hollave.

Ndërkohë Trump ka paralajmëruar demokratët për përpjekjet e tyre që të hetojnë administratën e tij, si dhe ka përmendur përfshirjen e SHBA-së në luftëra të huaja, çka sipas tij mund të dëmtojë ekonominë amerikane.

“Një mrekulli ekonomike është duke ndodhur në Shtetet e Bashkuara dhe gjërat e vetme që mund ta ndalin atë janë përfshirja në luftëra të kota, politika, apo hetime partiake qesharake”, është shprehur ai.

Deklaratat e tij kanë ardhur pas demokratët, që tani kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve kanë planifikur të zhvillojnë një seri të hetimeve ndaj administratës së Trumpit, teksa edhe Këshilltari Special, Robert Mueller heton ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në ShBA, si dhe ndonjë bashkëpunim të mundshëm të mes të këtij shteti me fushatën e Trumpit, raporton “Rel”.

Rusia mohon vazhdimisht këto pretendime dhe ka thënë se nuk ka pasur asnjë bashkëpunim.

Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cila ishte veshur në të bardha, bashkë me shumë gra tjera, për të festuar përvjetorin e 100-të, prej kur gratë amerikanë kanë fituar të drejtën për të votuar, ka duartrokitur me shqetësim disa herë, si dhe është parë e pakënaqur gjatë adresimit të Trumpit.

Ajo nuk ka treguar asnjë shenjë për bashkëpunim me Trumpin sa i përket çështjes së ndërtimit të murit.

Megjithatë presidenti amerikan ka shfrytëzuar fjalimin e tyre për të ofruar një dozë të kompromisit në çështjet e uljes së çmimit të ilaçeve, ndërtimit të rrugëve, urave dhe pjesës tjetër të infrastrukturës.

Adresimi tij televiziv ka qenë mundësia më e mirë për të treguar se është i nevojshëm ndërtimi i murit. Fjalimi është mbajtur me një javë vonesë për shkak të mbylljes së Qeverisë, e cila ka përfunduar më 25 janar.

“Po e them thjeshtë, muret funksionojnë dhe muret shpëtojnë jetë. Prandaj, le të punojmë së bashku, të bëjmë kompromis dhe të arrijmë një marrëveshje që do të sigurojë Amerikën”, është shprehur Trump.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zyrtar taliban që ka marrë pjesë në negociatat me…