
Tudor rinovon me Juven deri në vitin 2027
Igor Tudor do të vazhdojë të udhëheqë Juventusin edhe në vitet e ardhshme. Klubi bardhezi ka konfirmuar zyrtarisht rinovimin e kontratës me trajnerin kroat deri më 30 qershor 2027, me opsion për zgjatje deri në 2028.
Në komunikatën zyrtare, Juventus ka përmbledhur ndikimin e Tudor me tre fjalë: entuziazëm, karizëm dhe juventinitet, cilësi që ai i ka demonstruar që nga momenti që mori drejtimin e skuadrës në fund të marsit.
Rikthimi i tij te bardhezinjtë rezultoi vendimtar për kualifikimin në UEFA Champions League, falë një ecurie pozitive që nisi me fitoren ndaj Genoas në Allianz Stadium dhe u mbyll me suksesin kundër Venezias në javën e fundit të kampionatit.
Tudor do të udhëheqë skuadrën në sfidën e parë zyrtare të sezonit të ardhshëm: FIFA Club World Cup që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Disa muaj më parë u rindërtua ura historike mes Tudor dhe Juventusit. Tani, është koha për të shkruar faqe të reja së bashku. Urime, Mister!”, përfundon njoftimi i klubit.