Turbullira në Ibër-Lepenc, KRU ‘Mitrovica’: Uji të mos përdoret për pije deri në njoftim të radhës
Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” ka njoftuar konsumatorët se niveli i turbullirësisë në kanalin Ibër–Lepenc vazhdon të jetë mbi kufijtë e lejuar për trajtim të sigurt të ujit, gjë që ka bërë të pamundur operimin e Impianteve për Trajtimin e Ujit të Pijes.
Edhe pse gjatë orëve të mbrëmjes është vërejtur një përkohshme rënie e turbullirësisë dhe janë bërë përpjekje për rifillimin e trajtimit të ujit, situata ka ndryshuar sërish.
Sipas njoftimit, niveli i turbullirësisë ka shënuar rritje, duke e bërë të pamundur vazhdimin e procesit të trajtimit dhe shpërndarjes së ujit për konsum.
“Konsumatorët duhet të dinë se furnizimi me ujë të pijes mbetet i ndërprerë, ndërsa uji që eventualisht mund të arrijë në rrjet NUK duhet të përdoret për pije, por vetëm për qëllime higjienike dhe teknike, deri në një njoftim të radhës”, thuhet në njoftim.
Sipas kompanisë, ekipet janë në monitorim të vazhdueshëm të gjendjes dhe parametrave të ujit, ndërsa rifillimi i trajtimit do të bëhet menjëherë sapo kushtet teknike ta lejojnë.
“Konsumatorët do të informohen në kohë reale për çdo risi, ndryshim apo zhvillim të mëtejmë të situatës, përmes kanaleve tona zyrtare të komunikimit. Ju falënderojmë për mirëkuptimin”, përfundon njoftimi.



