Turqia arreston 209 persona të dyshuar për lidhje me grupe ekstremiste para samitit të NATO-s
Forcat e sigurisë në kryeqytetin turk kanë kryer bastisje gjithëpërfshirëse të martën, para samitit të NATO-s që do të mbahet muajin e ardhshëm, duke arrestuar më shumë se 200 persona të dyshuar për lidhje me grupe ekstremiste.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, pritet t’u bashkohet udhëheqësve të tjerë të aleancës prej 32 anëtarësh në Ankara për samitin e 7-8 korrikut.
Turqia po planifikon masa të rrepta sigurie për samitin, përfshirë ndalimin e demonstratave dhe kufizimin e qasjes në rrugët që çojnë drejt aeroporteve, si dhe izolimin e zonave përreth vendit ku do të mbahet samiti dhe hoteleve ku do të qëndrojnë delegacionet.
Qeveria e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka dhënë prioritet sigurisë, ndërsa autoritetet kryejnë rregullisht operacione dhe bastisje sigurie.
Muajin e kaluar, forcat e sigurisë arrestuan 324 persona të dyshuar për lidhje me grupin e ashtuquajtur Shteti Islamik, në një operacion të zhvilluar në të gjithë vendin.
Herët të martën, prokurorët turq lëshuan urdhra ndalimi për 241 të dyshuar, ndërsa 209 prej tyre u arrestuan më pas gjatë bastisjeve të policisë dhe xhandarmërisë në zonën e Ankarasë, sipas një deklarate nga zyra e kryeprokurorit, transmeton AP.
Bastisjet kanë vazhduar edhe më vonë gjatë së martës, me qëllim arrestimin e pjesës tjetër të të dyshuarve.



