
Turqia dhe Gjermania gati për finalen spektakolare të EuroBasket 2025
Në Riga të Letonisë sonte nga ora 20:00 zhvillohet finalja e EuroBasket 2025 mes Turqisë dhe Gjermanisë.
Sytë do të jenë të drejtuar te dyshja shqiptare e Turqisë, Erxhan Osmani dhe Kenan Spahiu që kanë qenë vendimtarë në sukseset e kombëtares turke.
Turqia dhe Gjermania arritën nga 8 fitore në 8 ndeshje dhe u kualifikuan në finalen e Kampionatit Evropian 2025.
Kombëtarja e Turqisë, në Grupin A, mposhti Serbinë, Letoninë, Portugalinë, Estoninë dhe Çekinë duke e mbyllur në vendin e parë. Në fazën e 1/16-ve eliminoi Suedinë, në çerekfinale Poloninë, ndërsa në gjysmëfinale mposhti Greqinë.
Gjermania nga ana tjetër, në Grupin B u përball me Lituaninë, Finlandën, Suedinë, Malin e Zi dhe Britaninë e Madhe. Si kampione e botës në fuqi, ajo e mbylli grupin si lidere me 5 fitore në 5 ndeshje. Në 1/16 eliminoi Portugalinë, në çerekfinale Slloveninë dhe në gjysmëfinale Finlandën.
Kombëtarja e Turqisë në basketboll do të luajë për herë të dytë në një finale të Kampionatit Evropian.
Turqia për herë të parë luajti në finale në EuroBasket 2001, kur ishte vend pritës. Atëherë, në ndeshjen për titull, “Hëna me Yll” u mund nga Jugosllavia me rezultatin 78-69 dhe u mjaftua me vendin e dytë.
Kombëtarja e Gjermanisë e ka fituar një herë trofeun e Kampionatit Evropian.
Në EuroBasket 1993, ku ishte vend pritës, Gjermania mposhti Rusinë në finale me shifrat 71-70 dhe u shpall kampione.
Gjermania ka fituar gjithashtu medaljen e argjendtë në Kampionatin Evropian 2005 dhe bronzin në EuroBasket 2022.
Kombëtarja e Turqisë do të përballet me Gjermaninë për herë të 12-t në një ndeshje zyrtare.
Nga 11 përballjet e mëparshme, Turqia ka fituar 4 ndeshje, ndërsa Gjermania 7.
Dy skuadrat u ndeshën për herë të fundit në EuroBasket 2015, ku Turqia fitoi në fazën e grupeve me rezultatin 80:75.