
Turqia i dha dronë Kosovës, Vuçiç i tmerruar: Duan të destabilizojnë Ballkanin dhe të rindërtojë Perandorinë Osmane
Këtë të mërkurë në Kosovë kanë mbërritur me mijëra dronë luftarakë nga Turqia, pas porosisë së kryer nga Prishtina. Dronët duhet të kishin mbërritur në janar të vitit 2026, gjithsesi, kryeministri Albin Kurti ka dalë vetë në aeroport për ta përshëndetur mbërritjen e tyre tre muaj më herët.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Kurti sqaron se dronët kamikaz të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger janë dronë luftarak të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut.
“Me blerjen e këtij kontingjenti të fluturakeve pa pilot, krahas TB2 Bayraktar dhe fluturakeve Puma po vazhdojmë të ngrisim dhe shtojmë fuqinë goditëse të ushtrisë sonë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore. Dronët u ngarkuan në kamionët multifunksional Rheinmetall 8×8 që i patëm marrë vitin e kaluar, 15 sosh gjithsej, 10 të blera nga ne dhe 5 donacion” shkruan Kurti.
Por ky lajm duket se ka mbërritur shpejt në Beograd dhe nuk është pritur mirë nga presidenti i Serbisë që ka etiketuar Turqinë për shitjen e armatimeve për qeverinë e Prishtinës.
“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe nga vazhdimi i armatosjes së autoriteteve të Prishtinës. Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe ëndërron të rindërtojë përsëri Perandorinë Osmane. Serbia është një vend i vogël, por ne e kuptuam mirë mesazhin “, shkruan Vuçiç në rrjetin “X”.
Dronët “Skydagger” mbajnë eksplozivë dhe mund të godasin objektiva lëvizës dhe statikë, dhe varësisht nga modeli mund të mbajnë pajisje shpërthyese me peshë nga dy deri në pesë kilogramë. Prishtina më parë ka blerë dronë turq TB2 “Bajraktar” dhe dronë amerikanë “Puma”.