TUSHEMISHTI – FSHATI TURISTIK I FILMIT “ZONJA NGA QYTETI”

28 qershor 2020 | 20:25

Shkruan: Berat Luzha

Në pjesën shqiptare të brigjeve të Liqenit të Ohrit janë dy fshatra turistike; Lini, në veri dhe Tushemishti, në jug.

Në fushën e Starovës, shumë afër Parkut Kombëtar të Drilonit, pranë vijës kufitare me R. e Maqedonisë e në bregun e Liqenit të Ohrit, në lartësi mbidetare prej mbi 700 m., ndodhet fshati turistik i Tushemishtit.

Fshati, me rreth 100 shtëpi e 500 banorë, është larg Pogradecit 5 km, Tiranës 133 km., Shën-Naumit rreth 7 km. Përmendet në shek. IX kur Shën Naumi, manastiri i të cilit ndodhet pak kilometra larg, e ka vizituar fshatin për t’i bekuar lopët e tij.

Ata që hyjnë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Shën – Naumit, fshatin e parë që do ta ndeshin është Tushemishti, një fshat i vogël por me shumë mrekulli në brendësinë e tij. Fshati është i veçantë me pozitën e tij gjeografike, me burimet e ujërat, me kodrat, që e rrethojnë, me liqenin, me parkun e Drilonit, me pamjet mahnitëse. Është Parku Kombëtar i Drilonit në afërsi të fshatit, në atarin e Tushemishtit, janë burimet që rrjedhin mes për mes fshatit, për të përfunduar në liqen. Që nga liqeni e deri në krye të fshatit, në rrëzë të malit, radhiten shtëpitë shekullore karakteristike të një stili të veçantë. Një veçori tipike e fshatit janë edhe rrapet shekullore të Tushemishtit, si monumente natyrore, që kanë vlera turistike e shkencore (biologjike e ekologjike), pastaj janë edhe kallamishtet me rëndësi ekologjike. Edhe Liqeni i Ohrit, me plazhin e bukur dhe me objektet hoteliere në bregun e tij, paraqet një potencial të lartë turistik. Në vitin 1967 është zbuluar mozaiku i Tushemishtit, që ndodhet në pragun e kishës “Shën Pandelejmoni”. Veçanti është edhe fakti se Tushemishti është përzgjedhur si pjesë e projektit kombëtar “100 fshatrat e Shqipërisë”.

Shtëpitë, rrugët e mjediset e fshatit janë të përjetësuara nëpër skenat e dy filmave të njohur shqiptarë, që janë xhiruar këtu; “Zonja nga qyteti” dhe “Një shoqe nga fshati”. Për të përjetësuar këtë fakt dhe për ta nderuar aktoren e madhe, Violeta Manushin – Teta Ollgën, kryepersonazhin e këtyre filmave, në sheshin e fshatit, pranë një burimi, ruhet shtëpia dhe është ngritur shtatorja e aktores së njohur. Ky shesh, me shtatoren e veçantë të aktores tash është një pikë referimi për shumë turistë. Për nderë të aktores fshati edhe sot organizon një festë të madhe me gatime tradicionale të zonës e me punime artizanale, e quajtur “Festa e Teta Ollgës”. Me këtë rast ftohen turistët e vizitorët për t’i shijuar bukuritë e fshatit, mikpritjen e banorëve dhe gatimet tradicionale. Xhirimi i filmave, para disa dekadave dhe shtatorja e aktores Violeta Manushi e ka bërë të famshëm dhe të vizitueshëm këtë fshat turistik në brigjet e Liqenit të Ohrit.

Një personalitet i respektuar dhe i nderuar i fshatit është edhe mësuesi dhe prifti Dhimitër Misha, i cili luftoi për t’i mbrojtur shkollat dhe shkronjat shqipe nga shovinistët serbë. Në vitin 1918 Dhimitër Misha nisi dhe financoi ngritjen dhe hapjen e shkollës së parë shqipe në fshatin Starovë, ku mësonin 22 nxënës. Pasi mbronte shkollën dhe shkronjat shqipe, shovinistët serbë i organizuan disa herë prita dhe, në fund, më 25 maj 1928 e vranë në derën e shtëpisë. Banorët e Tushemishtit, për ta nderuar mësuesin dhe priftin e tyre, i kanë kushtuar një faltore pranë kufirit me R. e Maqedonisë dhe një lapidar pranë kishës “Shën Pandelimoni” në kodrën e fshatit.

Bashkë me Parkun e Drilonit Tushemishti sot përmban një kompleks turistik të kompletuar, ndaj turistët nuk mund të shkojnë në njërën anë e të mos e vizitojnë edhe anën tjetër. Turizmi është sektori kryesor ekonomik i banorëve të Tushemishtit. Thuhet se çdo shtëpi është në disponim të turistëve, qoftë si bujtina, si bare, restorante e hotele, por edhe si punishte artizanale. Zona, pos bukurisë natyrore njihet edhe për kulinarinë e zhvilluar, sidomos për gatimet tradicionale, si lakrorin, peshkun koran, reçelnat, glikot, bulmetet etj. Në tokat e pakta të punuara rriten perimet dhe drurët frutor, mollët, qershitë dhe kumbullat. Edhe punimet artizanale, që kërkohen nga turistët, janë një nga mrekullitë që dalin nga duart e grave të zonës. Mirëpo, viteve të fundit, si gjithëkund në Shqipëri, edhe Tushemishti i bukur ka filluar të shpërfytyrohet me ndërtimet e reja shumëkatëshe e me betonizimin e kopshteve e oborreve. Një problem tjetër është me mbeturinat, që gjenden kudo, sidomos në bregun e liqenit dhe në lumin përgjatë fshatit. Kjo situatë, që paksa zhgënjen, krijohet edhe për mungesë të koshave për mbeturina.

Natyra e mrekullueshme, bregu i liqenit, burimet e ujit, klima e shëndetshme kanë krijuar kushte shumë të mira për zhvillimin e turizmit në Tushemisht. Bregu i liqenit, që nga Driloni e deri në vijën kufitare është mbushur me hotele, bare e restorante. Këtu mund të kalohet dita mes shumë mrekullive, që shoqërohet edhe me gatimet tradicionale. Këtu është vendi më i pëlqyer edhe për ta kaluar fundjavën. Të qëndrosh në Tushemisht, e ke afër, shumë afër Parkun Kombëtar të Drilonit, ku mund të shkohet edhe këmbë, pastaj është qyteti i bukur i Pogradecit, Parku dhe manastiri i Shën – Naumit, përtej kufirit. Bashkë me Drilonin, Tushemishti paraqet një oazë të mrekullueshme turistike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka vendosur që këtë vikend…