Tym e flakë në Amerikë

29 maj 2020 | 17:31

Në Mineapolis të Shteteve të Bashkuara protestuesit i vënë zjarrin një stacioni të policisë në ditën e tretë të trazirave pas vdekjes së një personi me ngjyrë në paraburgim. Trazirat vazhduan edhe të premten, përkundër vendosjes së qindra pjesëtarëve të Gardës Kombëtare për ta rivendosur rendin.

Presidenti Donald Trump tha se “huliganët” po e “çnderojnë kujtimin” për George Floyd, 46 vjeç, i cili vdiq të hënën gjatë arrestimit.

“Huliganët po çnderojnë kujtesën për George Floyd dhe unë nuk do ta lejoj këtë të ndodhë. Kam biseduar me guvernatorin Tim Walz dhe i thashë atij se ushtria është me të. Në çdo vështirësi ne do të marrim kontrollin por, kur fillon plaçkitja, fillojnë të shtënat”, ka shkruar Trump në “Twitter”.

Rrjeti social “Twitter” e ka fshehur postimin e presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se shkel rregullat pasi “madhëron dhunën”.

Si vdiq George Floyd?

Policët po ndiqnin veturën me të cilën po udhëtonte Floyd, nën dyshimin për përdorim të parave të falsifikuara. Sipas policisë, atij iu tha që të largohej nga makina dhe ai tregoi rezistencë fizike, pas së cilës u prangos.

Videot treguan se si një polic i bardhë bëri presion me gju në qafën e tij, teksa ka tentuar ta arrestojë, ndërsa Floyd dëgjohej duke bërtitur “të lutem, nuk mund të marr frymë” dhe “mos më vrit”.

George Floyd më vonë ka vdekur në spital.

Videoja e incidentit nuk tregon se si nisi konfrontimi.

Incidenti nxiti protesta brenda komunitetit dhe krahasime me një seri të ngjarjeve të ngjashme të viteve të fundit, kur persona me ngjyrë kanë vdekur derisa janë arrestuar nga zyrtarë policorë të racës së bardhë.

Katër oficerë të policisë, të përfshirë në këtë incident, janë larguar nga puna.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka filluar hetimet për vdekjen e 46-vjeçarit.

Një nga ish-policët,Derek Chauvin, 44 vjeç, kishte qenë më parë i përfshirë në tri të shtëna policore dhe kishte 17 ankesa të ngritura kundër tij gjatë karrierës 19-vjeçare, sipas “Associated Press”.

Mineapolis mbylli pothuajse të gjithë sistemin e tij hekurudhor dhe transportin rrugor deri më 31 maj për shkak të shqetësimeve për situatën e sigurisë.

Protestat u organizuan edhe në vende të tjera të ShBA-së si: Denver dhe Kolorado, Çikago dhe Los Angjeles.

Reagimet pas incidentit

Familja Floyd ka kërkuar që katër oficerët e policisë të përfshirë në vdekjen e familjarit të tyre të akuzohen për vrasje. Por, prokurorët kanë thënë se ata janë ende duke mbledhur prova.

Philonise Floyd, vëllai i George Floyd, i tha CNN të enjten se ai shpresonte që oficerët e përfshirë të marrin dënimin me vdekje. “Asnjëherë nuk do ta kthej vëllanë tim. Ne kemi nevojë për drejtësi”, tha ai.

Shefi i policisë në Minneapolis, Medaria Arradondo, kërkoi falje për “dhimbjen, shkatërrimin dhe traumën” e shkaktuar nga vdekja e Floyd.

Shefja për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, e ka dënuar vdekjen e Floyd, duke thënë se roli i “diskriminimit racor” duhet të njihet dhe trajtohet. Ajo bëri thirrje që protestuesit të sillen në mënyrë paqësore dhe tha se policia duhet “të kujdeset maksimalisht për të mos përshkallëzuar situatën aktuale edhe më shumë”.

Presidenti Donald Trump “u mërzit shumë” kur pa pamjet e vdekjes së Floyd, u tha gazetarëve të enjten sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany.

Një numër i madh i personave të famshëm dhe sportistë, duke përfshirë John Boyega, LeBron James, Beyonce dhe Justin Bieber, gjithashtu kanë shprehur zemërim për incidentin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë është zyrtare, pas gati 3 muajsh pushim, më 3…