
U.d. Kryeprokurori i Shtetit dhe Udhëheqësi i Zyrës për Rikthimin e Aseteve vizituan Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, së bashku me Udhëheqësin e Zyrës për Rikthimin e Aseteve, z. Bahri Hyseni, vizituan Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), ku u pritën në takim nga U.d. Drejtori i Përgjithshëm i kësaj agjencie, z. Alban Sutaj, me bashkëpunëtorë.
Gjatë takimit u diskutua mbi planet, objektivat dhe sfidat që lidhen me administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, si dhe mbi të arriturat kryesore të deritanishme të Agjencisë.
Qëllimi kryesor i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional për një administrim më efikas, të ligjshëm dhe transparent të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Gjithashtu, u theksua rëndësia e parashtrimit të kërkesave në gjykatë për shitjen e pasurive të sekuestruara, me qëllim të ruajtjes së vlerës së tyre dhe garantimit të një menaxhimi sa më efektiv.
Palët ritheksuan nevojën për një qasje të bashkërenduar dhe profesionale në funksion të sundimit të ligjit, duke ruajtur integritetin dhe vlerën e pasurisë së sekuestruar.
Institucioni i Prokurorit të Shtetit dhe AAPSK shprehën përkushtimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin me të gjitha institucionet e drejtësisë, me qëllim të një administrimi dhe menaxhimi sa më të mirëfilltë të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, në përputhje të plotë me kornizën ligjore.