U.d. presidentja Haxhiu shkarkon Vehbi Miftarin nga posti i shefit të Misionit në Vatikan

30 prill 2026 | 12:27

Vehbi Miftari ka njoftuar se ka pranuar dekretin e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për lirimin nga detyra e shefit të Misionit të Kosovës në Selinë e Shenjtë, duke shënuar kështu përfundimin e mandatit të tij në Vatikan.

Përmes një postimi publik, Miftari theksoi se ky dekret shënon përfundimin e mandatit të tij në Vatikan, por jo edhe angazhimin për Republikën e Kosovës, të cilës, siç u shpreh ai, i ka shërbyer gjithmonë me përkushtim dhe pa kërkuar asnjëherë shpërblim.

Ai e cilësoi këtë detyrë si një ndër nderet më të mëdha të jetës së tij, duke theksuar se ka qenë shefi i parë i Misionit të Kosovës në Vatikan.

“Ju njoftoj se këto ditë kam pranuar dekretin e u.d. presidentes Haxhiu për lirim nga detyra e shefit të Misionit në Selinë e Shenjtë. Ky dekret shënon përfundimin e mandatit tim në Vatikan. Sigurisht, jo angazhimin tim për Republikën, së cilës i kam shërbyer çdo herë me përkushtim, pa kërkuar kurrë shpagim. Ka qenë nderi jetësor që më është bërë, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan. Sot, kthehem i lumtur që jo vetëm misioni, por edhe marrëdhëniet janë të konsoliduara plotësisht. Falënderoj presidenten Osmani për besimin, secilin prej jush për përkrahjen dhe Selinë e Shenjtë për dashurinë me të cilën më mirëpriti e më ofroi bashkëpunim. Kanë qenë dy vjet plot angazhim e sfida të njëpasnjëshme, ndonjëherë të pakuptimta, me më shumë a më pak përkrahje, por të bukura e frytdhënëse, gjithsesi. Tani kur po përgatitem t’ia dorëzoj detyrën pasardhësit a pasardhëses sime, ofroj gjithë gatishmërinë time që, në përputhje me dinjitetin tim e me lartësinë e pozitës që kam mbajtur, të siguroj që vendimet tona të mos lëndojnë raportet e krijuara me aq mund”, ka shkruar në “Facebook” Miftari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë me dije se…