
“U emocionova nga kënga e UÇK-së dhe gjuajta me armë”, përfundon në ndalim
Një aheng familjar në kryeqytet ka përfunduar me pranga dhe hetime, pasi një burrë vendosi të festojë me armë në dorë, duke rrezikuar sigurinë publike në një nga lagjet më të frekuentuara të Prishtinës.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 20 korrik 2025, rreth orës 22:30, në rrugën “Fahri Fazliu”, kur qytetarët kanë raportuar për të shtëna me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe krim-tekniku, të cilët kanë identifikuar dhe ndaluar personin që kishte shtënë, Sabedin Govori, rreth 46-vjeçar.
I dyshuari, gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, ka deklaruar se kishte qenë në një aheng familjar, kur papritur në sfond është lëshuar një këngë për UÇK-në. “U emocionova dhe shtiva tri herë”, ka thënë Govori para hetuesve.
Ai ka dorëzuar vullnetarisht armën me gas, një karikator dhe tri gëzhoja, të cilat janë sekuestruar nga Policia si prova materiale.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj tij është iniciuar rast për “Mbajtje pa leje e armës” dhe “Përdorim i armës”, ndërsa është dërguar në mbajtje për 48 orë.