
U gjobit për tejkalim shpejtësie, shoferi iu shkakton lëndime trupore tre policëve
Një person është arrestuar mbrëmë në fshatin Topanicë të Kamenicës.Ai dyshohet se i ka sulmuar disa zyrtarë policorë, pasi këta të fundit i kanë shqiptuar gjobë për shkak të tejkalimit të shpejtësisë së lejuar.Në lidhje me rastin, detaje ka dhënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.‘’Më datë 07.10.2025, rreth orës 21:00, në fshatin Topanicë, komuna e Kamenicës patrulla policore në pikë kontrolli me radar ka ndalur një automjet me targa të huaja, pasi që i njëjti në zonën ku me shenjë të trafikut është e lejuar lëvizja 80 km/h duke lëvizura me shpejtësi prej 185 km/h. Ngasësit të këtij automjeti i është shqiptuar gjoba konform ligjit për rregullat në trafikun rrugor në vlerë prej pesëqind (500) euro, pesë (5) pikë negative dhe shqiptuar masa mbrojtëse e ndalim të drejtimi të automjeteve në Republikën e Kosovës për gjashtë (6) muaj”.“I njëjti në atë moment përkundër urdhrave të ligjshëm të zyrtarëve policorë ka filluar që të bëjë vozitje të rrezikshme duke u larguar nga vendi ku ishte i ndalur dhe rrezikuar seriozisht pjesëmarrësit e tjerë në trafik’’, tha ai.Sipas Hashanit, i njëjti ka rezistuar duke u shkaktuar lëndime të lehta trupore tre zyrtarëve policorë gjatë tentativës për ta ndalur në fshatin Hodonoc.Zëdhënësi i Policisë tha se lidhur më këtë, i dyshuari është arrestuar dhe pas procedurave ligjore ndaj të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rast ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’, rast i cili po hetohet nga hetues policor të Stacionit Policor Kamenicë.