
U hap EYOF Shkupi 2025
Me ceremoninë e organizuar në Palestrën Jane Sandanski të Shkupit u hap edicioni i 18-të i Festivalit Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF) Shkupi 2025.
Ekipi olimpik i Kosovës parakaloi me numër të madh sportistësh, trajnerësh dhe zyrtarësh, derisa flamurmbajtës ishin atleti Amar Maxhuni dhe notarja Joana Jasiqi.
Në hapje, të pranishmëve, kryesisht sportistë dhe drejtues të shtetit maqedon dhe Komtiteteve Olimpike Kombëtare, iu drejtua i pari i Komitetit Olimpik të Evropës, Spyros Capralos, i cili përgëzoi Maqedoninë e Veriut për organizimin dhe iu uroi fat dhe suksese sportistëve. Lojërat i shpalli të hapura presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova.
Të pranishëm në hapje ishin edhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti.
Garat mbahen deri më 26 korrik, ndërsa krahas qytetit të Shkupit, edhe Kumanova e Maqedonisë së Veriut dhe Osijeku i Kroacisë janë bashkëorganizatore.
Në Osijek u mbajt ceremoni e veçantë me sportin e gjimnastikës, ku morën pjesë edhe ekipi ynë i gjimnastëve.
Ekipi olimpik i Kosovës përbëhet prej 30 sportistëve të 9 sporteve të ndryshme. Numri është reduktuar nga 32 në 30 pasi xhudistja Blerina Gashi dhe taekwondistja Alina Azemi janë lënduar dhe nuk kanë udhëtuar drejt Shkupit.