U konfirmua se shkarkimi im ishte i kundërligjshëm

27 maj 2020 | 18:57

Inspektorati i Punës përmes një vendimi të nxjerr ka obliguar Telekomin e Kosovës që të kthejë në punë ish-kryeshefin e kësaj ndërmarrje Bedri Istrefi.

Pas këtij vendimi ka reaguar ky i fundit përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se ashtu siç ka paralajmëruar ditën e parë për vendimin e paligjshëm dhe arbitrar të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës për shkarkimin e tij nga detyra e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, sot u konfirmua edhe zyrtarisht se ka pasur të drejtë.

“Kjo për faktin se Inspektorati i Punës sot ka vendosur në favorin tim duke e bazuar si të kundërligjshëm vendimin e datës 25.04.2020 të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve. Inspektorati i Punës sot konstatoi se ai vendim ishte në kundërshtim me dispozitat e Ligjit të Punës, me Statutin e Telekomit të Kosovës si dhe në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me rastin e shkarkimit tim mbi bazën e nenit 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike Nr. 03/L-087. Ky vendim i sotëm dëshmojë edhe një herë se spektakli dhe insinuatat e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve ishin thjeshtë dhe vetëm një veprim i kundërligjshëm për të përmbushur qëllimet e tyre politike, qëllime këto plotësisht tendencioze saqë e dëmtuan dhe përkeqësuan rëndë imazhin e kompanisë sonë”, ka shkruar Istrefi.

Ai ka shtuar se: “Siç dihet që në ditën e parë, anëtarëve të përkohshëm të këtij bordi, u kam ofruar bashkëpunim të plotë profesional dhe ligjor, ndërsa synimi i tyre parësor paska qenë të ndërmarrë vendime të kundërligjshme duke prodhuar spektakël mediatik me proklamimin e shkarkimit të zyrtarëve të lartë të kompanisë sonë”.

Istrefi ka thënë se është i lumtur që do të rikthehet në punë për të rimëkëmbur Telekomin.

“Jam i lumtur që do të rikthehem aty ku së bashku me stafin dhe tërë punonjësit e Telekomit të Kosovës kemi bërë dhe do të bëjmë ç’është e mundur për të rimëkëmbur kompaninë tonë dhe për t’iu ofruar gjithë konsumatorëve të saj shërbime dhe produkte sa më cilësore”, ka shkruar Bedri Istrefi.

(A. M / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i të vdekurve në Itali nga koronavirusi është rritur.…