U la jashtë listës së LDK-së, reagon Agim Veliu: “Manovër e ulët, dikujt po i pengon fuqia ime elektorale”
Si “manovër të ulët” e ka konsideruar Agim Veliu, mos përfshirjen e tij në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Përmes një postimi në Facebook, ish-deputeti i LDK-së ka thënë se “edhe pse nuk kam humbur asnjë garë në jetën time politike, sot po shoh një padrejtësi të pashembullt brenda vetë partisë sime”.
“Përjashtimi im nga lista e kandidatëve nuk është vendim politik! Është manovër e ulët, e mbështjellë me frikë dhe kalkulime të vogla të individëve që e kanë harruar kush e ka mbajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës fituese për vite me radhë”, shkroi Veliu.
Ai theksoi se nuk është bërë “barrë” për askënd, por thotë se “duket se dikush është trembur nga fuqia ime elektorale dhe integriteti që e kam dëshmuar me punë e me votë, e jo me pazaret e zyrave të mbyllura!”.
Ky vendim, pohon Veliu, “nuk më nëpërkëmb mua por fyen drejtpërdrejt votuesin që gjithmonë më ka mbështetur”.
“Le ta dinë të gjithë: nuk do të hesht, nuk do të tërhiqem dhe nuk do të lejoj që intrigat e disa zyrtarëve të frikësuar e pa integritet ta zhbëjnë punën time shumëvjeçare. Transparenca dhe drejtësia do të kërkohen deri në fund”, potencon ai.
Ky, potencon Veliu, “është vetëm fillimi”.
Ndryshe, kjo është hera e dytë që LDK-ja nuk e vendos në listë Agim Veliun, i cili është një nga funksionarët më të lartë të kësaj partie. Ai ishte lënë jashtë listës edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Lumir Abdixhiku e publikon listën e LDK’së me emrat e 110 kandidatëve për deputëtë



