
U lansua shërbimi për pagesa elektronike për qytetarët
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe atë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në lansimin e pagesave elektronike, përmes të cilit synohet lehtësimi dhe shkurtimi i kohës për marrjen e shërbimeve qeveritare, pa prezencë fizike.
Digjitalizimi, si objektiv kyç i programit qeverisës, parashihet të jetë pjesë e gjitha shtyllave në Strategjinë e re Kombëtare për Zhvillim, tha kryeministri Kurti dhe shtoi se, përmes transformimit digjital, synohet përmirësimi i avancuar i administratës publike, sistemit arsimor, sektorit të shëndetësisë, sistemit të drejtësisë dhe të gjitha fushat e tjera të qeverisjes. “Nëpërmjet zhvillimit të qeverisjes elektronike, synojmë rritjen e transparencës, të llogaridhënies dhe përmirësimin e shërbimeve tona ndaj qytetarëve dhe bizneseve”, u shpreh kryeministri Kurti.