
U mbajtën testet fizike të gjyqtarëve nën mbikëqyrjen e ekspertit të FIFA-s
Federata e Futbollit e Kosovës ka organizuar mbrëmë, në Kampin Nacional në Hajvali, testet fizike për gjyqtarët e Superligës dhe Ligës së Parë, nën përkujdesjen e Komisionit të Gjyqtarëve. Këto teste u zhvilluan sipas standardeve ndërkombëtare dhe u monitoruan nga eksperti atletik i FIFA-s, Simon Breivik, si dhe përgatitësi atletik i gjyqtarëve në Kosovë, Enver Tahiraj.
Në këto teste morën pjesë 57 gjyqtarë, prej tyre 23 gjyqtarë kryesorë dhe 34 asistentë. Tre gjyqtarë kryesorë dhe shtatë asistentë nuk arritën t’i kalojnë testet, për çka më vonë do t’i nënshtrohen ritestimit dhe deri atëherë nuk do të delegohen për të ndarë drejtësinë.
Nga afër punën dhe angazhimin e gjyqtarëve e përcolli edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Këto teste u mbajtën në kuadër të seminarit treditor, derisa kanë për qëllim vlerësimin e gjendjes fizike të gjyqtarëve, duke siguruar që ata të jenë të gatshëm për ritmin dhe kërkesat e ndeshjeve në edicionin e ri të garave.
Përparim Hasani, kryetar i Komisionit të Gjyqtarëve u shpreh i kënaqur me punën e gjyqtarëve:
“Si çdo vit, edhe kësaj radhe jemi duke e mbajtur seminarin në kuadër të FIFA-s. Sa i përket pjesës teorike, sigurisht se jam i kënaqur, ndërsa tek testet fizike, ai që është i përgatitur nuk e ka problem testin fizik, kurse ai që nuk është përgatitur bjen prej testit dhe nuk mund të ndajë drejtësinë deri në testet e radhës fizike”, tha ai.
Hasani theksoi se që nga anëtarësimi në FIFA dhe UEFA, për çdo vit është organizuar ky seminar dhe vit pas viti gjyqtarët janë përmirësuar.
“Unë dhe komisioni në përgjithësi jemi të kënaqur. Besoj shumë në këta djem. E di që na pret një edicion me ndeshje shumë të forta, jo vetëm në Superligë, por edhe në Ligën e Parë, por besoj se do t’ia dalim mbanë”, shtoi Hasani.
Ndërkaq, Simon Breivik, përgatitës atletik i FIFA-s, i cili ka monitoruar testet në Kosovë prej shumë vitesh tha se gjyqtarët janë në formë më të mirë se sa në të kaluarën.
“Mbaj mend herën e parë që erdha këtu gjashtë ose shtatë vjet më parë, ishte një histori krejtësisht tjetër, kishte shumë dështime në testin fizik. Por ja, tani zhvillimi është shumë më profesional. Në mëngjes bëmë disa matje të dhjamit trupor dhe të gjithë gjyqtarët janë në formë shumë të mirë”, tha ai.
Tutje, Breivik tha se çdo vit përqindja e atyre që kalojnë testin është në rritje dhe shihet një përmirësim shumë i madh, prandaj edhe janë të kënaqur me zhvillimin e gjyqtarëve.
“Nëse gjyqtarët nuk janë në formë të mirë fizike, kjo e bën edhe ndarjen e drejtësisë shumë më të vështirë. Prandaj, nëse keni formë të mirë fizike, ajo është një mjet i dobishëm për t’i bërë ndeshjet më të lehta”, shtoi ai.
Seminari për gjyqtarët mbyllet sot me pjesën e fundit teorike.