U nisën drejt Sarandës, por mbetën “2 orë në rrugë” te Kalimashi – Çka thotë agjencia turistike?

11 prill 2026 | 00:37

Dy autobusë dykatësh të mbushur plot me pasagjerë nga Kosova, që ishin nisur për në Greqi, raportohet se kanë pësuar defekt derisa po kalonin nëpër Rrugën e Kombit.

Kështu kanë bërë me dije për Klankosova.tv disa prej udhëtarëve që kishin qenë duke udhëtuar me autobusët në fjalë.

Sipas tyre, defekti ndaj dy autobusëve ndodhi rreth 5km në hyrje të Tunelit të Kalimashit në Rrugën e Kombit.

Udhëtarët kanë pasur të aranzhuar një udhëtim disaditor, i cili do të niste në Sarandë, e do të vazhdonte më pas në Greqi.

Të njëjtit kanë thënë se pas prishjes së autobusëve, pasagjerët kanë pritur mbi 2 orë në rrugë. Kurse thanë se për marrjen e tyre dhe vazhdimin e rrugës për në destinacion, kompania ka dërguar vetëm një autobus njëkatësh.

Klankosova.tv ka kontaktuar me kompaninë përgjegjëse “Gmica Travel”, të cilët dhanë versionin e tyre.

Një përgjegjës i kompanisë e ka konfirmuar rastin, por ka thënë se “prishja e autobusit është diçka normale që mund të i ndodh çdokujt”, ndërsa për çështjen e vonesës, ai ka thënë se nuk ishte e madhe pasi që autobusi rezervë ka shkuar për t’i marrë udhëtarët pas 1 orë e 15 minutave nga Prizreni.

Ai deklaroi se vetëm njëri autobus është prishur, kurse i dyti është ndalë për arsye të policisë.

“Autobusin tjetër nga vendi i ngjarjes nuk e kemi lëvizur për arsyeje të policisë, që mos me i rreziku pasagjerët”, ka thënë ky përgjegjës i kompanisë.

Sipas informatave të Klankosova.tv, udhëtimi që është paraparë të zgjasë 8-9 orë deri në Sarandë, udhëtarëve ju ka zgjatur 15 orë.

Udhëtarët janë ankuar po ashtu se autobusi që ka ardhur t’i marrë, ka qenë njëkatësh dhe nuk ka pasur klimë, derisa kanë thënë se disa udhëtarë kanë zbritur në rrugë e sipër.

“Autobusi 1 kat, udhëtarët kanë mbetur në këmbë, disa janë ndalë gjatë rrugës, e kanë ndërprerë rrugëtimin. Autobusi ka qenë pa klimë. Pa kurrfarë organizimi”.

Madje, të njëjtit janë ankuar edhe për sjelljet e kompanisë: “Këta të kompanisë ju kanë thënë udhëtarëve ‘n’daqi me udhëtu rrini, që jo ecni’”, kanë thënë udhëtarët për Klankosova.tv.

E personi përgjegjës i kompanisë “Gmica Travel” ka thënë se “nuk ka pas diçka rrezik për pasagjerë përveç pritjes se tyre 1 orë e 15 minuta”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërsa astronautët janë gati të zbresin në Paqësor, të gjithë…