U pa që Vetëvendosja nuk ka aftësi të qeverisë

21 maj 2020 | 09:40

Edita Tahiri, e cila dikur drejtonte bisedimet me Serbinë në Bruksel, thotë se parimi i reciprocitetit ekziston në të gjitha marrëveshjet e Kosovës me Serbinë në kohën sa ajo ka qenë kryenegociatore.

Sipas saj, Kurti është dashur ta respektojë reciprocitetin e përfshirë në ato marrëveshje dhe në atë mënyrë nuk do të cenohej partneriteti me aleatët ndërkombëtarë.

Në një intervistë për KosovaPress, ish-ministrja për dialog thotë se Vetëvendosjes i mungon kultura e bashkëpunimit dhe se nuk ka aftësi diplomatike për t’i ruajtur marrëdhëniet ndërkombëtare.

Duke folur për rrëzimin e qeverisë dhe përpjekjen e partive politike për të formuar një qeveri të re, Tahiri thotë se duhet pritur dhe respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Tahiri thotë se zhvillime të tilla politike nuk është dashur të ndodhin në kohë të pandemisë, ndërkohë shton se është treguar mungesë e përvojës në qeverisje dhe se Vetëvendosja nuk ka traditë bashkëpunimi.

“Çdo qeveri i meriton 100 ditë për t’u dëshmuar, mirëpo këtu u tregua mungesë e përvojës në qeverisje dhe partia që i fitoi zgjedhjet, Vetëvendosje, nuk ka pasur traditë të bashkëpunimit me partitë e tjera sepse vazhdimisht ka qenë e pozicionuar kundër çdo gjëje, e kjo iu hakmor Vetëvendosjes kur erdhi për të qeverisur bashkë me të tjerët sepse i ka munguar kultura e bashkëpunimit ndërqeveritar dhe kultura e partneritetit qoftë në planin e brendshëm, qoftë në planin ndërkombëtar. Ajo ishte e koncentruar gjithmonë në fushatën e vet, te grumbullimi i votave, por ja që në demokraci nuk mjafton vetëm të fitosh vota, por pastaj duhet të kesh aftësi për të qeverisur dhe u pa që nuk e ka. Besoj do të mësojë për të ardhmen”, thotë Tahiri.

Ish-kryenegociatorja në bisedimet me Serbinë thotë se Vetëvendosja nuk ka treguar aftësi diplomatike për të kultivuar dhe forcuar marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sipas saj, platformat e mëhershme të këtij subjekti u janë bërë pastaj pengesë për qeverisje efektive.

“Kanë qenë kundër dialogut të Brukselit dhe pastaj nuk kanë mundur të thirren në rezultatet e Brukselit, por në politikë gjërat duhet të shkojnë me një mençuri politike dhe duhet të dihet pra një lloj notimi në ujërat ndërkombëtarë. Kjo qeveri nuk po shoh se ka aftësi diplomatike për të kultivuar dhe forcuar marrëdhëniet ndërkombëtare. Është larg. E di që nuk ka qenë kurrë në qeveri dhe e kuptoj, por ato platformat e përparshme që i ka pasur për vota, tani iu kanë kthyer në pengesa për të bërë qeverisje efektive”, thotë ajo.

Ish-ministrja për Dialog thotë se qeveria është dashur të thirret në çështjet e reciprocitetit në marrëveshjet e Brukselit që janë nënshkruar në kohën sa ajo e ka udhëhequr këtë proces.

“Te çështja e reciprocitetit, ky parim ekziston në të gjitha marrëveshjet sa kam qenë unë kryenegociatore bashkë me dy qeveritë dhe Kurti nuk do të binte ndesh me faktorin ndërkombëtar as me Amerikën, po t’u thoshte të respektohet reciprociteti i përfshirë në marrëveshjet, sepse janë marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk do të cenohej partneriteti me amerikanët”, thotë Tahiri.

Ajo flet edhe për 1 000 testet që Serbia i dërgoi në Kosovë për t’ua marrë mostrat personave që dyshohen të jenë të prekur me koronavirus, për çka thotë se Vetëvendosje nuk është dashur të pranojë diçka të tillë. Sipas saj, kur është fjala për çështje humanitare nuk duhet të shikohen implikimet politike, por thotë se Vetëvendosja dikur ka kundërshtuar ashpër çdo gjë që vinte nga Serbia.

“Nëse nisemi nga doktrina e Vetëvendosjes dhe një parullë e njohur e saj, prodhime vendore, vetë fjalën e kanë pasur që mos të merret asgjë nga Serbia, madje një kohë sa unë isha kryenegociatore i rrokullisnin kamionët e Serbisë. Erdhën në pozitë që prej Serbisë me i marrë këto. Kjo më tepër është çështje e tyre për të parë që nuk është mirë të përdoret makiavelizmi në formën ekstreme dhe pastaj të të kthehet bumerang. Po të isha unë në vendin e tyre kurrsesi nuk kisha pranuar për shkak se kanë pasur parullën prodhime vendore, pra ranë në kundërshtim”, thotë ajo.

Ish-kryengociatorja Edita Tahiri thotë se jostabiliteti politik në Kosovë ka qenë i panevojshëm në këtë kohë të përballjes me pandeminë Covid-19. Ajo thotë se vëmendja ka shkuar në çështjet e pushtetit duke u larguar nga shëndeti i qytetarëve në luftën kundër koronavirusit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, pjesëmarrës në betejën e Koshares,…