
U pezullua nëntë muaj, reagon Fonseca
Lyon luajti këtë të enjte për herë të parë që nga përjashtimi i diskutueshëm i Paulo Fonsecas dhe arriti një fitore 3-1 në Rumani kundër Steauas së Bukureshtit.
Në përfundim të ndeshjes, trajneri portugez pranoi se ishte një moment i veçantë për shkak të mbështetjes që mori nga tifozët dhe lojtarët.
“Kjo ishte një natë e mbushur me emocione. Ekipi është i bashkuar dhe treguam sa i rëndësishëm është ky solidaritet. Jam shumë krenar për ambicien që tregoi skuadra dhe jam mirënjohës për mbështetjen e tifozëve, të cilët erdhën në numër të madh për të na inkurajuar,” tha portugezi.
Megjithëse pranon se ky është një moment i vështirë pas pezullimit nëntëmujor nga komisioni disiplinor i Ligue 1, trajneri siguron se nuk do të ndalojë së luftuari për ekipin.
Trajneri portugez u pezullua për 9 muaj pasi vendosi kokën mbi arbitrin Benoît Millot në fund të ndeshjes Lyon-Brest.
“Ky është një moment i vështirë në karrierën time, por të jem i rrethuar nga njerëz të jashtëzakonshëm më jep forcë. Qëndroj i qetë pavarësisht pezullimit. Kam mbështetjen e njerëzve të afërt dhe nuk do të dorëzohem,” shtoi ai.
Ndeshja u shënua gjithashtu nga një gjest i veçantë i lojtarëve, të cilët pas shënimit të golit të parë, vrapuan drejt pankinës për të përqafuar Paulo Fonseca-n, duke e emocionuar trajnerin deri në lot.
“Ishte një moment shumë emocional. Të kem mbështetjen e lojtarëve të mi dhe të klubit është gjëja më e rëndësishme. Ishte një gjest shumë i bukur. Ne vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar. Lojtarët janë me mua,” theksoi ai.