U raportua i zhdukur, Enver Bajraktari gjendet i groposur nga familjarët e tij në Lipjan

04 gusht 2025 | 20:34

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunën e Lipjanit. Enver Bajraktari, i njohur edhe si Veli, nga fshati Baicë, i cili ishte raportuar i zhdukur nga familja ditë më parë, është gjetur i vdekur dhe i groposur në afërsi të fshatit të tij.

Trupi i pajetë është zbuluar sot nga vetë familjarët, të cilët kishin bërë thirrje publike për ndihmë në gjetjen e tij. Sipas tyre, Enveri ishte zhdukur që nga dita e djeshme rreth orës 16:00.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se sot rreth orës 12:00, në fshatin Baicë, është gjetur një trup i groposur, ende pa u identifikuar zyrtarisht. Por burime të Gazetës Express bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Enver Bajraktarin.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, ka deklaruar se rasti po trajtohet si “vrasje e rëndë”, bazuar në rrethanat fillestare të hetimeve.

“Sot rreth orës 12:00, në fshatin Baicë të Lipjanit, është gjetur i groposur një trup i pajetë (ende i paidentifikuar). Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, kanë nisur veprimet procedurale ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi dhe identifikim. Bazuar në rrethanat fillestare, dyshohet për vrasje të rëndë. Aktualisht, hetuesit janë duke punuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e viktimës”, ka deklaruar Ahmeti.

Ndërkohë, për më shumë se katër orë, prokurori i shtetit ka qëndruar në vendin e ngjarjes. Rasti është ende në fazën e hetimeve fillestare dhe autoritetet nuk kanë dhënë më shumë detaje për rrethanat që çuan në këtë tragjedi.

Instituti i Mjekësisë Ligjore pritet të përcaktojë saktësisht shkakun e vdekjes së Bajraktarit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën udhëheqjen e Kryesuesit, Ardian…