U shkarkua si kryebashkiak i Tiranës, Veliaj e dërgon vendimin në Gjykatën Kushtetuese

29 shtator 2025 | 11:56

Erion Veliaj ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij nga detyra si kryebashkiak i Tiranës.

Ai e cilëson vendimin si “të paligjshëm dhe antikushtetues”, duke iu referuar nenit 115 të Kushtetutës, sipas të cilit një kryetar bashkie mund të shkarkohet vetëm për shkelje të rënda. Në këtë kontekst, ai argumenton se ligji “Për vetëqeverisjen vendore” ka specifikuar dy raste që përbëjnë “shkelje të rëndë”: kur kryetari dënohet penalisht me vendim të formës së prerë dhe kur mungon në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

Sipas Veliajt, ai ende nuk është dënuar përfundimisht dhe mungesa e tij në detyrë nuk ka ardhur me vullnetin e tij, por prej një pamundësie objektive të shkaktuar nga masa e paraburgimit.

“Dënimi penal me vendim të formës së prerë (gërma “b”) është një formë tipike e shkeljes së rëndë të ligjit/kushtetutës për një funksionar si Kryetari i Bashkisë; ndërsa mosparaqitja në detyrë për tre muaj (gërma “c”) përbën shkelje të rëndë nëse kryetari i bashkisë, pa pasur ndonjë shkak objektiv, ka zgjedhur me vullnet të lirë të mos ushtrojë funksionin e tij. Në të kundërt, kur mungesa është rezultat i një pamundësie objektive ose rrethana të jashtëzakonshme që e bëjnë të pamundur ushtrimin e funksionit, ajo nuk mund të konsiderohet ‘shkelje e rëndë’”, shkruhet në ankimin e Veliajt.

Ai argumenton se neni 62, në interpretim me nenin 115 të Kushtetutës, parashikon shkarkimin vetëm kur mungesa është e pajustifikuar dhe e zgjedhur me vullnet të lirë.

“Mungesa e Kryetarit të Bashkisë, për shkak të një pamundësie objektive të shkaktuar nga paraburgimi nuk përmbush kriterin kushtetues të “shkeljes së rëndë”. Neni 62, interpretuar së bashku me nenin 115 të Kushtetutës, e parashikon mungesën si shkak shkarkimi vetëm kur është i pajustifikuar, pra kur buron nga vullneti i personit, sepse vetëm në këtë rast mungesa mund të përbëjë “shkelje të rëndë“, jo kur mungesa është për shkaqe objektive, të pavarura nga vullneti i funksionarit. Në rastin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, mungesa ishte rezultat i një mase sigurie, pra një pamundësi objektive”, argumenton Veliaj.

Nëse pranohet një interpretim që zgjeron shkaqet e shkarkimit përtej atyre të përcaktuara në Kushtetutë, Veliaj argumenton se do të krijohej një normë ligjore antikushtetuese.

“Nëse do të pranohej e kundërta, atëherë do të kishim të bënim me një normë ligjore antikushtetuese, pasi ligjvënësi do të kishte shtuar një shkak të ri për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë, ndonëse kushtetutëbërësi, me qëllim garantimin maksimal të autonomisë vendore, e ka përcaktuar shprehimisht dhe në mënyrë të kufizuar në Kushtetutë shkakun e shkarkimit të Kryetarit të Bashkisë dhe nuk ka dhënë autorizim për zgjerimin me ligj të shkaqeve të shkarkimit“, argumenton ai.

Ankimimi i Veliajt pezullon shkarkimin e tij dhe ngrin procesin e përcaktimit të një date për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës, deri në shprehjen e Gjykatës Kushtetuese.

Me propozim të këshilltarëve socialistë, Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi 6 ditë më parë pro shkarkimit të Veliajt, pas një mungese 7-mujore në detyrë, duke qenë nën arrest me burg nga SPAK për disa akuza. Vendimi për shkarkimin e tij u firmos më pas nga Këshilli i Ministrave më 25 shtator./rtsh.a

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, sot…