UÇK-ja kishte unitet të çeliktë (37)

27 gusht 2020 | 11:22

Shkruan: Kudusi LAMA

Pika 52 e raportit në fjalë është një tentativë për të futur përçarje midis shqiptarëve. Aty thuhet: “Ka dalë qartë se këto ‘grupëzime’ të ndryshme të UÇK-së kanë zhvilluar e ruajtur strukturat e tyre informative, që i kishin ndër të tjera, si një mjet për të siguruar vazhdimësinë e tyre. Përkrahësit më të zellshëm të ndjekjes faktike të kësaj forme lufte të UÇK-së përdorën të gjitha mjetet që kishin, duke e vënë veten, në mënyrë të pamohueshme, në kufirin e ligjshmërisë, për të mbikëqyrur dhe shpesh për të sabotuar veprimin e kundërshtarëve, si dhe të atyre që mund të dëmtonin interesat e tyre politike a ekonomike”. Ndërsa unë po të them se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur që në luftë Shërbimin e vet Informativ, shumë të organizuar dhe që ka kryer me ndershmëri detyrat në interes të atdheut. Dhe ky shërbim ka vijuar të ekzistojë deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ka qenë publik dhe nuk ka vepruar i fshehur.

Ky shërbim në punën e tij ka një veprimtari të spikatur dhe me bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Ai nuk është marrë me partitë politike që normalisht u krijuan pas përfundimit të luftës, por kreu detyrën deri ditën kur ia dorëzoi shtetit të pavarur të Kosovës.

Përveç Shërbimit Informativ të UÇK-së të krijuar që gjatë luftës, në Kosovë nuk ka vepruar asnjë shërbim tjetër legal përveç, ndoshta, ilegalisht edhe UDB-a juaj, e cila ju ka furnizuar me informacionet që jua kanë interesuar. Çdo deklarim ndryshe është në kuadër të shpërdorimit të detyrës që bëni ju, në emër të Këshillit të Evropës.

Deklarimi juaj, se ky shërbim është përdorur për ta “mbikëqyrur dhe shpesh për ta sabotuar veprimin e kundërshtarëve, si dhe të atyre që mund t’i dëmtonin interesat e tyre politike a ekonomike”, është shpifje dhe nuk bazohet në asnjë fakt, përveç në ndonjë artikull gazete të shkruar nga ndonjë gazetar i tipit tuaj, që në emër të lirisë së shtypit mund të shkruajnë çfarë t’u teket, ashtu edhe të kolegut tuaj Bllaca që me të vërtetë jep deklarime të vlefshme, bile “shumë të vlefshme”, i cili është përputhur plotësisht me mendimet dhe veprimet e zbulimet tuaja.

Ajo që është shumë interesante duket se ju paskeni zbuluar që ne kemi edhe një kanun, të cilin e paska zbatuar UÇK-ja, siç e pohoni në pikën 53 të raportit tuaj. Po si nuk ju ra në sy se UÇK-ja ka pasur një betim ushtarak publik? Si nuk arritët t’i gjeni rregulloret ushtarake të jetës e të disiplinës që ka zbatuar UÇK-ja që nga themelimi i saj? Si nuk ju kanë rënë në sy ato qindra urdhra e komunikata që ka lëshuar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së gjatë gjithë luftës? Si nuk ju ranë në sy ato struktura organike mbi të cilat është ndërtuar e ka funksionuar UÇK-ja? Si nuk arritët t’i shikoni planet e operacioneve luftarake të formacioneve të UÇK-së për realizimin e misionit të saj? Por duke i tejkaluar të gjitha këto, ju shkuat dhe gjetët kanunin tonë, i cili qenka zbatuar gjatë luftës? Pse jeni kaq i paskrupullt?

Kanuni ynë zotëri është një ligj i lashtë që ka ekzistuar kur ti nuk e kishe akoma kombin tënd. Ai ka luajtur një rol shumë të madh në organizimin shoqëror të kohës kur është shpallur. Është një nga ligjet më të lashta të Evropës, në mos më i lashti. Të diturit mburren me përmasat dhe funksionalitetin e tij. Dhe për të të sqaruar zotëri, ai nuk është zbatuar se nuk ka terrenin për t’u zbatuar në kohët e sotme. Por po të zbatohet, duhet ta dini se askush nuk vritet, pasi ai nuk lejon të vriten njerëz fshehtas. Kur vritet me kanun, vrasësi deklaron vrasjen para se ta hetojnë. Në ato kushte nuk do të kishte nevojë për raportin tuaj, pasi çdo gjë do të ishte e deklaruar publikisht. Prandaj mos na merrni nëpër gojë kanunin tonë të lashtë, apo edhe ai ju ka prishur punë.

Në pikën 54 ju deklaroni se “… kemi konstatuar se njësitë kryesore të UÇK-së dhe zonat e tyre përkatëse të komandimit operativ ishin pothuaj kopje e saktë e strukturave që kontrollonin format e ndryshme të kriminalitetit të organizuar në territoret ku vepronte UÇK-ja”. Kush i kishte organizuar këto forma të ndryshme të “kriminalitetit të organizuar” para krijimit të UÇK-së, që ajo i paska gjetur kopje të gatshme? A e kuptoni që flisni me gjuhën e Serbisë? Si paska qenë i organizuar ky kriminalitet në Kosovë kur aty sundonte me zjarr e hekur pushtuesi serb? Si i paskan gjetur këto mënyra organizimi kriminale djemtë dhe vashat luftëtarë me nga një kallash e nga një grusht fishekë nëpër male? Apo mjafton të thuhen fjalë të tilla dhe efektiviteti është i arritur. Për këtë keni të drejtë vërtet me lojëra të tilla fjalësh e akuza pa asnjë të vërtetë. Ju ia arritët ta bindni Këshillin e Evropës. Në këtë kuptim ia keni arritur qëllimit. Veçse duhet të dini që realisht nuk jeni treguar tjetër veçse një kriminel.

Pse nuk thoni çfarë trafikohej nëpër Kosovë e prej Kosove, në kushtet kur atje çdo lëvizje e kontrollonte Serbia? Por, thjesht, në pikën 55 shpreheni se nuk ishte e vështirë “për të kuptuar kush drejtonte trafikimet e ndryshme apo veprimtaritë e kontrabandës, që lulëzonin në rajon”. Me një fjalë, që ju të mos i quani shqiptarët trafikantë, kontrabandistë e kriminelë, çfarë duhet të kishin bërë ata? Sepse ju e keni gjetur lehtë duke vazhduar shprehjen tuaj: “Mjafton të përcaktohet cili taraf apo cili klan komandantësh a rekrutësh të UÇK-së ishte përgjegjës i një zone operative të përcaktuar të UÇK-së në Kosovë apo në disa rajone të Shqipërisë”. Pra, prej këtej del se të gjithë komandantët dhe luftëtarët e UÇK-së në këndvështrimin tuaj nuk janë tjetër veçse kontrabandistë, trafikantë dhe kriminelë. Me thënë të drejtën, keni hyrë shumë në borxh me shqiptarët zotëri. Ju keni ngarkuar jo vetëm akuza, por keni tentuar t’ju ndyjnë edhe historinë. Dhe këtë, thjesht, për t’i kënaqur interesat e fashizmit ekstrem serb. A vërtet jeni me mendësi fashiste zoti Marty?

Për t’ju sqaruar pak për pikën 56, po ju them se vendimi për themelimin e UÇK-së i përket vitit 1994 dhe ideja është shumë më e hershme. Askush në atë ushtri nuk e ka marrë dot drejtimin sipas dëshirës a sipas forcës, por sipas detyrës së vënë nga strukturat e lëvizjes politike të kohës. Kështu që bërthama më e ngushtë e UÇK-së ka qenë Shtabi i Përgjithshëm, i cili ka pasur fuqinë ta udhëheqë luftën e kësaj ushtrie deri në çlirim. Nëse këto veprime ju i quani veprime kriminale të paligjshme, nuk është faji i UÇK-së e as i drejtuesve të saj. Ndërsa si veprimtari kriminale të tyre në Shqipëri ndoshta quani faktin se duke përfituar nga fakti i ngjarjeve të vitit 1997 që hapën depot e ushtrisë në Shqipëri, bënë një punë shumë të organizuar në grumbullimin e atyre armëve për t’i armatosur luftëtarët në Kosovë. Nëse këtë e quani krim, unë e quaj sa veprimtari humane, po aq edhe atdhetare.

Më pas, në pikën 57 keni shpikur një grup të Drenicës, që realisht në asnjë dokument tjetër, përveç në raportin tuaj, nuk është i emërtuar kështu. Për këtë s’ka pasur as pagëzim e as vetëpagëzim. Atë thjesht e keni pagëzuar ju me serbët, ose serbët në vitin 2004 e ju në vitin 2010. Por ju jeni i mllefosur për ta emërtuar kështu sepse Drenica ju shkakton alergji psikike pasi, siç deklaroni vetë, Drenica ka qenë “bërthama tradicionale e qëndresës së anëtarëve të etnisë shqiptare ndaj shtypjes serbe në kohën e Millosheviqit dhe vendlindja e UÇK-së”. Për këtë vizitohuni te mjeku se nuk janë fajtorë shqiptarët, por të dashurit tuaj – serbët, të cilët mjaft janë përpjekur ta shuajnë atë trevë, por nuk kanë mundur ta bëjnë pasi qëndresa shqiptare i ka mundur masakrat serbe. Ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e shtrirë në gjithë Kosovën. Megjithëse veprimet e saj ju i quani veprime kriminale, siç i quajnë serbët, ka vepruar me shumë dinjitet duke arritur t’i hedhë përfundimisht për gjithë të ardhmen shqiptare jashtë serbët dhe ta zhdukin përfundimisht pushtimin prej tyre.

Dhe duke emërtuar të quajturin “Grupi i Drenicës”, ju ia arrini qëllimit të arrini tek emri i udhëheqësit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin, duke përdorur terminologjitë mafioze, pjesë e të cilëve ndoshta jeni, e emërtoni “kumbara” i rrjeteve të kriminalitet të organizuar që, sipas jush, nuk janë tjetër vetëm strukturat luftarake të UÇK-së.

Por prapë ju gaboni, pasi Hashim Thaçi gjatë luftës e deri në Konferencën e Rambujesë, ku u zgjodh unanimisht kryetar i delegacionit shqiptar, nuk ishte tjetër vetëm drejtor i drejtorisë politike në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Deri në atë kohë ai nuk ishte i njohur si politikan në skenën ndërkombëtare. Por ju nuk shqetësoheni për këtë. Për ju dhe planet serbe duhet goditur kryetari i Kosovës. A do të arrini vërtet që me mashtrime të ngjiteni deri në ato nivele të qeverisjes së Kosovës? A mos keni bërë edhe ndonjë plan për të na sjellë kryetar ndonjë serb? I shkreti ti sa dëshirë të madhe ke.

Sot Thaçi është politikan i nivelit të lartë, por në kohën kur ju e akuzoni me termat që dini t’i përdorni vetëm ju, ai nuk ishte gjë tjetër veçse një djalosh me armë në krah, që kishte marrë përsipër të luftonte deri në fund të jetës për çlirimin e popullit dhe atdheut të tij prej pushtuesve shekullorë serbë. Në atë kohë të luftës së lavdishme ai nuk kishte kohë të bënte poza si ju sot, për të treguar se ishte i zgjuar dhe është vlerë që ai nuk ka zgjuarsinë tuaj.

Mirëpo ju i ngatërroni kohët, njëherë shkoni në vitet 1998 – 1999, njëherë flisni në kohën e sotme. A e dini se përfaqësuesit e ShBA-së kanë filluar bashkëpunimin me Thaçin prej Konferencës së Rambujesë? A e dini se edhe në atë konferencë të nderuar Thaçi nuk guxoi ta firmoste marrëveshjen pa një konsultë të ngushtë me gjithë luftëtarët dhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi donte të kishte unanimitet të plotë në pranimin e saj? Apo edhe këto veprime janë kriminale?! Dhe të jeni i sigurt, se pavarësisht organizmit në disa parti politike, në skenën politike sot në Kosovë, në atë kohë nuk kishte asnjë fraksion apo përçarje në radhët e UÇK-së dhe për lumturinë tonë ishte vlerë që nuk kishte, pasi një synim të tillë për të krijuar disa ushtri në Kosovë e kanë shprehur serbët që në atë kohë dhe mos mendoni se nuk kanë tentuar ta bëjnë, por nuk kanë arritur, pikërisht se UÇK-ja kishte unitet të çeliktë.

Në pikën 60 ju thoni: “Thaçi ia detyron pa asnjë dyshim ngjitjen e tij personale përkrahjes politike e diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe të fuqive të tjera perëndimore, të cilat e konsideronin si partnerin lokal më të parapëlqyer në projektin e tyre të politikës së jashtme për Kosovën. Kjo formë përkrahjeje politike do t’i ketë krijuar konkretisht ndjenjën se është “I paprekshëm” dhe e veshi kështu me një rëndësi tej mase prej drejtuesi të ardhshëm, të besueshëm, të Kosovës së pasluftës”. Unë do të kisha nderim për ShBA-në dhe fuqitë perëndimore nëse do të kenë vlerësuar se Thaçi është një personalitet i vlefshëm për politikën e Kosovës, pasi ata dinë ta bëjnë vlerësimin e nivelit të politikanëve. Nëse është kështu, unë ju falënderoj që na e thoni, por kemi dëgjuar mjaft përralla të tilla, që çdo gjë lind në Perëndim. Realisht UÇK-ja ka lindur në gjirin e popullit të tij dhe i ka nxjerrë prej gjirit të vet kuadrot drejtuese, që sot janë edhe udhëheqës me vlera në politikë.

Prapë në pikën 61 ju shpreheni: “…Thaçi e përforcoi në përmasa fenomenale mbështetjen e tij mbi veprimtaritë kriminale të organizuara gjatë kohës kur këto lulëzuan në Kosovë e në Shqipëri”. Po cilat janë more zotëri këto krime që nuk i emërtoni? A mos e quani krim faktin që bashkëpunëtore e bashkëluftëtare e UÇK-së dhe e Hashim Thaçit (meqë doni t’i përmendni emrin), u bë gjithë bota moderne dhe forca e saj e madhe politike-ushtarake NATO-ja, që goditën bashkë me të pushtuesin e Kosovës deri në çlirim? Në atë kohë i vetmi “krim” që mund të jetë bërë ka qenë armatosja e UÇK-së dhe që edhe ajo për pamundësi nuk është bërë në nivelin e nevojave të saj. Të gjitha krimet e tjera që nënkuptoni kanë ndodhur zotëri vetëm në kokën tuaj, që me sa lexoj në këtë raport ka imagjinatë të sëmurë.

Në pikën 62 thoni: “Thaçi do ketë vepruar në këtë fushë me mbështetjen dhe bashkëfajësinë jo vetëm të strukturave qeverisëse zyrtare të Shqipërisë, dhe konkretisht të qeverisë socialiste në pushtet në atë kohë, por edhe të shërbimeve sekrete shqiptare dhe të mafies së tmerrshme shqiptare”. Po mirë mor zotëri, mbasi Shqipëria paska qenë me shtet mafioz, me shërbim informativ mafioz, me shoqëri mafioze, me mafi të tmerrshme shqiptare, çdo të bënte Thaçi? Natyrisht do të bëhej si ata. Nuk besoj se keni ndonjë mendim tjetër. Këtu bëni shumë mirë, përderisa në Shqipëri jua kanë pranuar këtë vlerësim për ta. Po si ta ka pranuar Këshilli i Evropës këtë vërtet, nuk e kuptoj. Ju zotëri duhet të paditeni, por unë nuk kuptoj pse lejohesh të jesh i lirë edhe nga Këshilli i Evropës, pasi mendoj se jeni shoqërisht i dëmshëm. Ju sot po godisni Shqipërinë e Kosovën dhe personalitetet e udhëheqjes dhe të politikës së këtyre dy shteteve, po nesër? Ju mund të bëni çdo lloj krimi. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fadil Rama do të jetë trajner i Drenicës për edicionin…