UÇK-ja si forcë e lirisë shpëtoi një komb prej goditjeve terroriste serbe (28)

12 gusht 2020 | 11:17

Shkruan: Kudusi Lama

Këtë vlerësim e gjejmë më të hollësishëm te raporti i zotëri Martyt, i cili ka zbuluar se akoma shqiptarët vazhdojnë t’i zbatojnë rregullat kanunore të mafisë, se ku i ka mësuar zotëri Marty këto unë nuk e di, por një gjë e di mirë, që shqiptarët nuk kanë asnjë kod mafioz, përveç kodit kulturor, me të cilin krenohen ndërmjet kombeve të tjera. E për sa iu përket serbëve, nuk duhet pretenduar shumë sepse është plotësisht e sigurt se kodin e kulturës dhe të humanizmit nuk i njohin.

“Shqiptarët e pasur dhe të shquar në vendet e Evropës Perëndimore dhe të ShBA-së, krahas mbështetjes financiare, janë përpjekur që UÇK-në ta paraqesin si lëvizje kombëtare, kurse aksionet terroriste të saj si luftën çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë – Metohi, që në një masë të rëndësishme, e kanë arritur. Në këtë plan kanë krijuar pikëmbështetje te një pjesë e politikanëve dhe të diplomatëve perëndimorë”.[1]

Shikoni sa të pakorrigjueshëm janë serbët dhe Serbia në tërësi. Megjithëse u ngrit në këmbë një botë e tërë, megjithëse u bë një luftë, ku përveç luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u angazhuan edhe forcat ajrore të NATO-s, si forca politiko- ushtarake më e madhe, më e fortë dhe më moderne e kohës, megjithëse u nënshkrua një marrëveshje kapitullimi pa kushte më 9 qershor 1999 në Kumanovë, ata vazhdojnë ta quajnë UÇK-në organizatë terroriste. Dhe politikën botërore që e mbështeti si të mashtruar prej disa të pasurve shqiptarë, që siç duket i paskan korruptuar presidentin e ShBA-së, kancelarin e Gjermanisë, presidentin e Francës, kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, komandantin e forcave ushtarake të NATO-s etj. Nuk di vërtetë ku e gjejnë gjithë këtë guxim Serbia dhe Dick Marty që të paragjykojnë gjithë spektrin politik dhe ushtarak më modern e më të fuqishëm të kohës. Por një gjë dihet mirë, që ato forca erdhën në Kosovë, jo për t’u bërë pjesë e një “organizate terroriste” siç e quani ju UÇK-në, por për të bashkuar forcat me UÇK-në si forcë e lirisë, për të shpëtuar një komb të tërë prej goditjeve terroriste serbe, që tentonin ta likuidonin tërësisht si komb.

“Në Konferencën e 18 islamike të organizuar në Pakistan, në tetor 1998 separatizmi shqiptar në Kosovë u karakterizua si xhihad, me të cilin tërë bota myslimane është ftuar ta ndihmojë, me të gjitha mjetet disponuese, luftën “për çlirim në territoret myslimane të pushtuara. Duke u thirrur në xhihad, organizata terroriste e Osama Bin Ladenit ka lajmëruar për sulme terroriste kundër “të pabesëve”, përkatësisht të Britanisë së Madhe, ShBA, Francë dhe Serbisë”.[2]

Tani edhe Serbia është vënë përballë Alkaedës se paska pushtuar Kosovën, dhe qenka rreshtuar me SHBA-të, Francën e Anglinë, sikur deri tani nuk ishte Serbia që këto shtete të nderuara i quajti bashkëpunëtore të terrorizmit shqiptar. Por edhe sikur të jetë e vërtetë kjo, ç’lidhje ka UÇK-ja me Alkaedën? Se çfarë thuhet në vendet islame, pse duhet të hidhen gur mbi shqiptarët? A edhe në pikëpamje fetare shqiptarët u bëjnë shumë hije serbëve? Ne nuk jemi marrë kurrë me fenë e tyre, vetëm feja e tyre është marrë me shqiptarët pa ndërprerje, ka hedhur gurë pa ndalur dhe ne prapë nuk jemi marrë kurrë me fenë, sepse konsiderojmë se feja nuk ka për detyrë të bëjë agresion, siç bën pa ndërprerje kisha serbe kundër shqiptarëve.

“Për praninë e islamit radikal në Kosovë – Metohi flet e dhëna se gjatë vitit 1995, Osama Bin Laden qëndroi në Shqipëri si mysafir i presidentit të atëhershëm Sali Berisha, kur u formuan bazat për mbështetjen logjistike e financiare ndaj organizatës së Al Kaedes dhe u vendosën selitë e saj në krahinën e Kosovë – Metohisë. Krahas BinLadenit, në takimin e lartpërmendur asistuan Bashkim Gazidedja, ish shefi i policisë sekrete të Shqipërisë, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj. Me këtë rast, Bashkim Gazidedja u zgjodh si një nga udhëheqësit e Alkaedës për krahinën e Ballkanit”.[3]

Sa interesant është ky “fakt” i dhënë nga Serbia se Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj janë takuar edhe me Osama Bin Ladenin. Kjo është një e dhënë që i shërben shumë zotëri Martyt, a mos i ka kaluar pa e parë, apo serbët janë bërë pishman pse e kanë thënë? Se në raportin e zotit Marty në emër të Evropës ky “fakt” nuk është. Jo, nuk kishte punë Osama Bin Ladeni në Kosovë, se ai nuk është shqiptar. Ne në Kosovë kemi pasur vetëm shqiptar, të cilët emërtoni si të doni ju, por ata e kanë kryer më së miri detyrën e tyre ndaj atdheut e kombit.

“Luftëtarët fanatik islam nga Afganistani, Algjeria, Egjipti, Çeçenia, Irani dhe vende të tjera ishin përfshirë në përbërjet komanduese të shtabeve të UÇK-së në Kosovë – Metohi. Në raste të caktuara këta persona të orientuar radikalisht dhe të stërvitur lart profesionalisht formuan reparte të pavarura të angazhuara në detyra luftarake dhe taktike speciale. Morën pjesë drejtpërdrejtë në pushtimin dhe spastrimin e terrenit, në arratisjen e qytetarëve dhe të pjesëtarëve të policisë, në torturat dhe likuidimet e ashpra. Gjithashtu kanë qenë të angazhuara edhe si instruktorë të stërvitjes speciale të disa formacioneve të UÇK-së. Në vitin 1998 Departamenti i shtetit e vuri UÇK-në në listën e organizatave terroriste, duke vërejtur se operacionet e saj financohen me para nga tregtia ndërkombëtare e heroinës dhe me huate vendeve islamike dhe të individëve midis të cilëve ka qenë, edhe Osama Bin Laden. Sipas citimeve të specialistëve nga Interpoli, lidhja tjetër me Bin Ladenin është fakti që Muhamed al Zavahiri, vëllai i dr. AjmanZavahirit, lideri i organizatës xhihadiegjyptian dhe i ideologut AlKaida, udhëhoqi repartin elite të UÇK-së gjatë kohës së konfliktit në Kosovë – Metohi”.[4]

Është e vërtetë që në vitet 1997 – 1998 ju shpifët siç edhe vazhdoni me të gjitha mënyrat e mjetet që të bindnit perëndimin dhe ShBA-të se UÇK-ja ishte një organizatë terroriste, islamike, komuniste, etj., por perëndimi dhe SHBA-të nuk ranë në kurthin tuaj. Ato e kuptuan mirë se ai nuk ishte tjetër veçse një kurth serb dhe e pranuan UÇK-në si qytetare të botës moderne, që në gusht të vitit 1998 dhe u bënë bashkëluftëtarë të saj për të çliruar përfundimisht Kosovën dhe popullin e saj prej pushtimit serb njëshekullor.

Unë e citova këtë pjesë, që shqiptarët të shikojnë se deri ku arrin imagjinata e armikut me të cilin luftuam dhe prej të cilit u çliruam. “Në zonën e Drenicës, në përbërje të UÇK-së, nga maji deri në fund të korrikut 1998, veproi reparti i kombinuar muxhahedin “Abu Bekir Sidik” të cilin e komandoi EkremAvdia nga Mitrovica e Kosovës. Në përbërje të repartit të lartpërmendur kishte 115 muxhahedinë, midis tyre 40 shtetas të huaj (10 nga Arabia Saudite, 2 nga Egjipti, 4 nga Shqipëria, 2 nga Anglia dhe nga një nga Irlanda dhe Skocia, të tjerët kanë qenë shtetas të Maqedonisë dhe Bosnjë-Hercegovinës)”.[5]

Le të dijë lexuesi i nderuar se deri ku mund të arrijë imagjinata juaj, pasi të gjithë qytetarët e Kosovë e dinë, dhe jo vetëm shqiptarët, por edhe serbët e ndershëm, që nuk kanë pasur e nuk kanë dëshirë t’i lyejnë duart me gjak shqiptarësh, se në Kosovë ka pasur vetëm njësite, reparte e njësi me djem e vasha shqiptare, që nuk kanë përtuar për asnjë moment të derdhin gjakun e tyre të pastër për interesat e lirisë së atdheut të tyre tek i cili kishin rrënjët e do të ndërtonin të ardhmen. Por ju ashtu do t’i quani, se nuk keni besuar kurrë se shqiptarët do të kenë fuqinë t’iu zhdukin njëherë e përgjithmonë prej Kosove. Ju pikërisht për këtë edhe sot e kësaj dite nuk keni guximin të deklaroni se sa ushtarë janë vrarë në Kosovë gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, pasi nuk doni të pranoni se edhe ju mund të vriteni nga arma shqiptare. Ka shumë mundësi që të keni humbur edhe varret e ushtarëve tuaj, vetëm për të mos pranuar se janë vrarë në Kosovë. Por të jeni të sigurt, në mos sot, nesër vetë ushtarët e mbetur gjallë do të tregojnë për kolegët e tyre dhe do të befasoheni se çfarë kanë përjetuar ata në përleshje me luftëtarët e UÇK-së që sidoqoftë kanë qenë të gjithë shqiptarë.

“Numri më i madh i pjesëtarëve të repartit “Abu Bekir Sidik’, i kombësisë shqiptare, pas vendimit që reparti të shkrihej, u kthyen në vendet e veta të banimit në Kosovë – Metohi, ndërsa grupi i dytë u përpoq të kalonte në territorin e Shqipërisë. Me këtë rast në gusht të vitit 1998, nga ana e organeve të sigurimit të Republikës së Serbisë burgosen Ekrem Avdia, Shpend Kopriva dhe Nexhmedin Llausha dhe pastaj edhe pjesëtarët e tjerë të repartit muxhahedin”.[6]

Ju vërtet mund të keni burgosur shqiptarë por, megjithatë, siç edhe i deklaroni emrat e të arrestuarve, ata paskan qenë të gjithë shqiptarë e jo muxhahedinë siç pretendoni. Pra, ata nuk qenkan as arabë, as egjiptianë e as indianë por, thjesht, shqiptarë. Ama se çfarë emërtimi u vini ju, kjo është puna juaj. Me rëndësi është që sado të shpifni, vetë ju një ditë do ta tregoni të vërtetën e do t’ju vijë turp prej gënjeshtrës tuaj. Populli shqiptar ka një fjalë të urtë që thotë: “Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra”. Aq do t’i ketë edhe gënjeshtra juaj. Të shkurtra. (Vijon)

 

[1] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, “dosjet sekrete”, Beograd, 2004, faqe 49, botimi serbisht

[2] Po aty faqe 49

[3] Po aty faqe 49

[4] Po aty faqe 50

[5] Po aty faqe 50-51

[6] Po aty faqe 51

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kejvina Kthella sërish në qendër të vëmendjes. Ajo është një…