
“UÇK” mbi veturën e Donika Gërvallës
Partia Socialdemokrate (PSD) ka realizuar të mërkurën një aksion simbolik para Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku në veturën zyrtare të ministres Donika Gërvalla ka shkruar mbishkrimin “UÇK”.
Me këtë rast, PSD-ja ka theksuar se Kosova nuk mund të këtë sukses me diplomaci nëse është e shpërfytyruar nga brenda.
Më tutje, PSD-ja ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka nisur luftën speciale të propagandës kundër UÇK-së.
“Veturës së ministres së jashtme sot ia shkruajtëm mbishkrimin UÇK. Kosova nuk mund të ketë suksese në diplomaci nëse është e shpërfytyruar nga brenda. Kosova nuk ka ku shkon pa UÇK-në. Kurti pati thënë se nuk e pranon gjykatën dhe nuk i dorëzon njerëzit. Pastaj tha se shteti duhet ta organizojë mbrojtjen. Tash ka nisur luftën speciale të propagandës. Në emër të transparencës Qeveria e ka dëmtuar mbrojtjen duke deklasifikuar pagesat për avokatët. Sikur në luftë, edhe sot e njëjta këngë. Po na tregojnë sa kushton UÇK-ja. Janë shumë vesh që duan ta bëjnë kalkulimin dhe koston argument. Ky regjistër është i njëjti që para luftës na i tregonte pasojat dhe rreziqet e luftës. Këtij veshi po i fryen Kurti sot. Kalkulimi është argument i frikës, i reaksionit. UÇK-ja është e guximit, e historisë”, është thënë në njoftimin e e PSD-së.