“UÇK tund Strasburgun” – Enver Hoxhaj publikon videon nga protesta e madhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Deputeti i PDK-së dhe njëkohësisht kandidati për kryetar të partisë, Enver Hoxhaj, ka publikuar një video të fuqishme nga protesta që po mbahet sot në Strasburg, ku mijëra shqiptarë nga gjithë bota janë mbledhur për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Postimit të tij ai i ka bashkangjitur videon me mbishkrimin: “UÇK tund Strasburgun! UÇK në çdo zemër, në çdo zë.”, duke reflektuar atmosferën e zjarrtë që po mbretëron para Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, transmeton lajmi.net.
Protesta e sotme është e katërta me radhë pas atyre në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar pjesëmarrje masive me rreth 6 mijë protestues. Tubimi po zhvillohet nga ora 13:00 përballë godinës së Këshillit të Evropës, aty ku pritet të dërgohet edhe një mesazh i fuqishëm politik dhe qytetar për lirimin e të paraburgosurve të UÇK-së.
Protesta e radhës do të vazhdojë në Maqedoninë e Veriut. Në Strasburg, mijëra flamuj kuq e zi dhe thirrje “UÇK! UÇK!” po krijojnë një atmosferë që, siç thotë Hoxhaj, “po e tund qytetin”.



