Për më shumë se dhjetë muaj, qindra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë në pothuajse çdo qytet të Serbisë. Ata kërkojnë zgjedhje të reja dhe fundin e korrupsionit të përhapur gjerësisht. Lëvizja e protestës u nxit nga një incident në nëntor 2024, kur një tendë mbi një stacion treni të rinovuar u shemb në Novi Sad, duke lënë të vdekur 16 persona. Shumë banorë akuzojnë zyrtarët shtetërorë se janë bashkëfajtor në aksident.
Sipas informacionit të disponueshëm, “puna e dobët” është një nga shkaqet e tragjedisë. Deri më tani, regjimi i Presidentit Aleksandar Vuçiq (SNS) nuk i ka nxjerrë përgjegjësit para ndonjë gjykate të pavarur. Kjo ka zemëruar shumë qytetarë. Demonstratat, të udhëhequra nga studentët dhe profesorët e tyre në universitete, po përhapen. Ata tani po kërkojnë zgjedhje të reja. Aktualisht është e pasigurt nëse regjimi do t’i mbijetojë protestave politikisht.
“Mbrojtja e interesave të elitës së korruptuar”
Kushdo që mbështet publikisht studentët, siç bën Vukashin Miliqeviq i duhet të përballet me represion. Çfarë është e veçantë në rastin e tij: është pikërisht maja e Kishës së fuqishme Ortodokse Serbe (SPC), e cila nisi procedura kundër tij, duke u bërë kështu bashkëpunëtore e sundimtarit autoritar serb.
Kur bëhet fjalë për shtypjen e mendimit të lirë, Patriarku Porfirije dhe Presidenti Vuçiq shpesh veprojnë në bashkëpunim. Kjo është një rrethanë që Vukashin Miliqeviq e ka kritikuar prej kohësh.
“Kjo nuk ka të bëjë fare me kujdesin për interesin publik, por me mbrojtjen e interesave të elitës së korruptuar, e cila praktikisht ka rrëmbyer Serbinë“, thotë ai për Deutsche Welle. Patriarku dhe disa peshkopë të afërt me të, siç është Irinej Buloviq nga Novi Sadi, janë pjesë e asaj elite.
Vukashin Miliqeviq, një prift i shuguruar dhe baba i katër fëmijëve, është vënë re në publik edhe më parë. Për shembull, kur koronavirusi u përhap në Serbi disa vjet më parë. Në atë kohë, ai kritikoi atë që e konsideronte sjellje të papërgjegjshme të udhëheqjes së kishës gjatë shërbesave fetare. Disa peshkopë, përfshirë Patriarkun e atëhershëm Irinej, dhe shumë priftërinj dhe besimtarë, vdiqën si pasojë e infeksionit me virusin SARS-CoV-2.
Kritika e Vukashin Miliqeviqit ndaj udhëheqjes së kishës pati pasoja: atij nuk i lejohet më të shërbejë liturgjinë dhe aktualisht ndodhet para të ashtuquajturës “gjykatë kishtare”.
Ky është një organ kishtar që zgjidh mosmarrëveshjet brenda bashkësisë fetare. Anëtarët e tij janë peshkopë dhe priftërinj. Kryeson peshkopi përgjegjës për Beogradin, Patriarku Porfirije. Nëse Vukashin Miliqeviq shpallet “fajtor”, në rastin më të keq ai përballet me përjashtim nga kisha – që është ndëshkimi më i rëndë për këtë të krishterë të devotshëm.
Udhëheqja e Kishës është servile
Por Vukashin Miliqeviq nuk frikësohet. Në një intervistë me DW, ai kërkon që udhëheqja e kishës të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj – për shembull, për servilizëm ndaj shtetit. Ai vazhdon duke thënë se përvetësimi i fondeve publike dhe shkeljet e moralit të krishterë nga kleri duhet të hetohen.
Blagoje Panteliq, i cili ka shkruar për tema fetare për vite me radhë dhe është kryeredaktor i portalit teologjik më me ndikim në Ballkan (“teologija.net”), që po ashtu mbështeti protestat studentore. Por udhëheqja e kishës ia ka bërë të qartë: nuk do të ketë doktoraturë. Në një intervistë me DW, Blagoje Panteliq akuzon Patriarkun Porfirije se e ka vënë veten në shërbim të regjimit. “Kjo është e papranueshme”, thotë ai.
Panteliq kritikon më tej vizitën e Patriarkut Porfirije dhe Peshkopit Irinej në Moskë në prill. Ndërsa ushtria ruse, me bekimin e Patriarkut Ortodoks Rus Kirill, po zhvillon një luftë agresioni në Ukrainë, mysafirët serbë në Kremlin bënë shaka me Presidentin Vladimir Putin. Për më tepër, ata i karakterizuan protestat në Serbi si një “revolucion me ngjyra” që thuhet se është nxitur nga Perëndimi.
“Masat kundër Miliqeviqit dhe Panteliqit duhen parë në kontekstin e një përpjekjeje për të kontrolluar diskursin teologjik”, thotë Thomas Bremer, profesor i teologjisë në Universitetin e Münster.
Ai u shpreh gjithashtu se diskutimet teologjike po zhvillohen edhe jashtë kornizës së kontrolluar nga kisha. “Kjo nuk do të jetë e mundur të parandalohet”, thotë profesor Bremer, një nga ekspertët më të respektuar të otodoksisë në Perëndim. Nëse lëvizja protestuese në Serbi është e suksesshme dhe regjimi aktual përmbyset, kuadrot që mbështetën Vuçiqin do mbajnë gjithashtu përgjegjësi – qofshin pjesë e ushtrisë, shërbimeve të inteligjencës apo dhe kishës./DW