UDHËTIMI I VJOLLCA BERISHËS*

14 dhjetor 2020 | 09:55

MILAZIM KRASNIQI

UDHËTIMI I VJOLLCA BERISHËS*

Nuk e di ku jam, a është ky udhëtim

Gozhduar në këtë arkivol fluturues.

Apo mos është ky një aterrim

Drejt thellësive të ferrit shkrumbues?

 

Nuk di jam në qiell a jam në tokë.

Por, mes të vdekurve po.

Të rënë edhe mbi mua, si pa kokë!

Oh, të gjithë këta i njoh!

 

Janë njerëzit e dashur, njerëzit e mi

Qenkan të pajetë të gjithë,

Ç’na ka ndodhur, o Perëndi

Pse nuk arrij as të klith!?

 

Kush na ka shkulur si një rrënjë

E na ka bërë kufoma?

Të pavarrosur pse na lënë?

Pse na shoqëron fadroma?

 

Oh, e gjallë mes të vdekurish jam

Dhe nuk di nga t’ia mbaj!

Ah, im bir, Gramozi, qenka gjallë

A të gëzohem, a të qaj?

 

Ja, e mora në prehër, nga tmerri

Mezi e njoh, i tëri i gjakosur.

Si ta nxjerr jashtë këtij ferri

Jashtë kësaj makine të xhindosur.

 

Ndihmona, të lutem, o Zot,

Tashmë vetëm Ty të kemi,

Kërcyem si me flatra, jemi në tokë

Dhe gjallë të dytë jemi.

 

Zbritëm nga makina e ferrit

Ecim përpara, pa e ditur se për ku.

Do të jetojmë si dëshmi e tmerrit

Më pak për veten, më shumë për ju.

 

10 dhjetor 2015

 

* Qytetare nga Suhareka. E mbijetuar nga masakra e Suharekës e marsit 1999, ku u vranë pesëdhjetë civilë shqiptarë, shumica gra e fëmijë. Bashkë me të birin, Gramozin, dhe kunatën, Shyhreten, kërcyen nga kamioni që po bartte drejt Serbisë pesëdhjetë kufomat e asaj masakre. Atje autoritetet serbe i patën fshehur kufomat.

KOKA E BANUSH KAMBERIT*

Më këputën nga trupi me sharrë

Dhe më futën në një torbë,

Trupin e tërhoqën oborrit zvarrë

Dhe e lanë të dergjej mbi borë.

 

Nuk di kështu nga po më hupin,

Në Kragujevc a në Beograd

Një kokë që nuk e ka trupin

S’kanë pse e zhdukin kaq larg.

 

Nuk jam koka e Ali Tepelenit**

Që tronditi një perandori,

Jam veç koka e Banush Kamberit

Fshatar i thjeshtë në pleqëri.

 

Por, për asgjë nuk më pyet njeri,

E si mund të të pyes krimineli?

Udhëtoj futur në torbë nëpër Serbi

Ndoshta derisa të këndojë gjeli.***

 

Pastaj nga t’ia mbaj, ku të shkoj

I ngrirë në tepsi me mjaltë?****

Unë kam dëshirë të fluturoj

E të kthehem në Reçak.

 

Të kthehem e ta gjej trupin tim

Ta gjej veten time të vrarë,

Edhe të shoh me sytë e mi atë krim

Që lanë prapa këta barbarë.

 

Por, s’fluturon një kokë e prerë

As nuk ecën pa kokë një njeri.

Përveç në legjendat serbe që, sa herë

Rishfaqen, na therin e na vrasin përsëri.

 

22 dhjetor 2015

 

* Fshatar nga fshati Reçak i Shtimes. Më 15 janar 1999 forcat policore serbe e vranë dhe pastaj ia prenë kokën. Kokën e prerë e morën me vete dhe ende nuk është gjetur.

** Ali Pashë Tepelena ishte sundimtar shqiptar i Pashallëkut të Janinës. Pasi e vranë me pabesi, ia prenë kokën dhe ia dërguan në Stamboll, si provë se e kishin eliminuar pashain rebel.

*** Ekziston legjenda, sipas së cilës, Millosh Obiliqi ka ecur me kokë të prerë nga fushëbeteja e deri në fshatin Bajmoc. Sipas legjendës, kur ka kënduar këndesi i mëngjesit, i ka rënë koka nga duart dhe ka mbetur aty i vdekur.

**** Kokën e prerë të kryengritësit të famshëm serb, Karagjorgjit, vasalët/lojalistët serbë ia patën dërguar sulltanit në tepsi, të ngrirë në

mjaltë që të mos prishej derisa të mbërrinte në Stamboll.

 

PLISI I SADIK SHERIFIT*

 

U err, ra nata si një zog i vramë.

Më nuk po ndiej asnjë klithje,

Nuk po ndihet asnjë ofshamë

Nuk po ndihet asnjë thirrje.

 

Heshtja ka rënë si një meteor

Që lë pas mister e ftohtësi,

S’po mund të lëviz as këmbë as dorë

E ndiej që trupi më është ngri.

 

Nga këmba po më rrjedh gjak

Ngadalë, por pa shkëputje,

Dy të panjohur ma lidhën pak

Me dy toja dhe ikën tutje.**

 

Gjaku po trashet e po ftohet,

Si peshkve po nxihet.

Shikimi nga pak po më errësohet,

Ndërsa balli po më digjet.

 

Shikoj retë si lodrojnë,

Të murrme e të dendura si shkëmb

Hënën me zemërim po e mbulojnë

As të na shikojë s’po e lënë.

 

Por, ja hëna u shfaq krejt pak,

Disa çaste mes resh tërë dritë,

Gjithandej pa vetëm gjak

Dhe burra që kishin dhënë shpirt.

 

Kur na bënë grumbull, na thanë

Hiqni plisat nga koka,

Nënat shqiptare na i shanë

Me sharje që s’i përpin toka.***

 

Pastaj na qëlluan me breshëri

Aq sa u err vetë mesdita,

Si kam rënë nuk e di

Të jem ende gjallë, nuk e prita.

 

Gjaku po më rrjedhë pa pushim.

E ndiej derdhjen zemërplasur,

Më thotë turbull një mendim:

Sa shumë gjak paskam pasur!

 

Po, shumë gjak, shumë, shumë

Gjak shqiptari ndër epoka!

S’jam as i pari as i mbrami unë

Që vdekja më varet si plis te koka.

 

Asnjë zë nuk ndihet në Izbicë,

Vdekja sogjeton si një bishë sllave.

Lamtumirë Kosovë, lamtumirë Drenicë,

Dua vetëm të prehem në paqe.

 

19 dhjetor 2015

 

*Fshatar nga Broja e Drenicës. Në masakrën e Izbicës, ku forcat militare serbe torturuan dhe masakruan 147 burra shqiptarë, civilë të paarmatosur, Sadiku mbeti i plagosur. Sipas dëshmitarëve, ai ka mbetur aty dyzet e tetë orë dhe ka vdekur nga hemorragjia e madhe.

** Dy të mbijetuar ia kishin lidhur plagën me dy toja të çorapëve dhe ishin larguar.

***Të mbijetuarit e masakrës së Izbicës kanë dëshmuar se forcat militare serbe, para se t’i ekzekutonin civilët shqiptarë, kanë përdorur edhe terrorin psikologjik ndaj pengjeve duke ua fyer nënat shqiptare, duke u kërkuar t’i hiqnin plisat, duke u thënë se po i bënin kurbane për Ditën e Bajramit etj.

SYTË E ZOJE PRENDIT*

As nuk di kur ditët agojnë,

As kur janë netët puse, pa hënë,

Nuk qaj, por sytë më tradhtojnë,

Jam nënë, oh, nënë.

 

Rri mbështetur në divan

Ngrirë si një statujë në muze,

Asgjë nga malli nuk më ndan,

Nga kujtimet që rrjedhin si rrëke.

 

Të pesë djemtë e mi sokola

Që nderonin shtëpinë e pragun,

M’i mori nga gjiri e nga vatra mortja

E ma shoi me një frymë oxhakun.

 

Ishin djem të rinj, djem sokola.

Gazi i tyre m’i ushqente ditët.

Lumturinë e tyre ulur ëndërroja

Si një ëndërr që nuk të shqitet.

 

Bashkë dilnin në punë plot hare,

Bashkë shkonin në kishë me dëshirë.

Ëndërronin për një Kosovë të re

Për një atdhe të lirë.

 

Por, gjarpri i zi i Karpateve

M’i kafshoi edhe djemtë e mi.

Askush nuk e di misterin e fateve

Kur bëhet luftë për vdekje ja liri.

 

9 janar 2016

 

*Nënë shqiptare nga fshati Korenicë i Gjakovës. Forcat terroriste serbe ia vranë të pesë djemtë (Sokolin, Vitorin, Markun, Robertin dhe Gjergjin) në fushatën e spastrimit etnik e gjenocidit serb në vitin 1999.

 

(Këto poezi janë botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Alban Tufa Vepra, qoftë skulpturë, pikturë, muzikë apo tekst letrar,…