Udhëtimi që nis e nuk mbaron

15 janar 2026 | 08:51

Enver Visoka

Arif Molliqi, “Ata udhëtonin pa e ditur fundin”, “Armagedoni”, 2025

Një udhëtim që nis e nuk mbaron, nuk arrin të përkufizojë krijimtarinë letrare të Molliqit që më bën të nis këtë shkrim e të mos përdor askund pikën ngase pika është pikë dhe përjashton gjithçka që mud të vazhdojë dhe, patjetër të bën që nga aty të kalosh diku tjetër që do të bënte të lije jashtë një të tërë të prerë dhe të përjashtuar pa prekur asgjë të mirë që do të shkonte përtej artikulimit të formave të zgjedhura gjuhësore që do t´i hapnin krah leximit për të kaluar brenda udhëtimit në kujtesë që nuk do të ndalej as në Verrat e Llukës  e as në anët e Elbës ku gjithçka do të sharrojë në terr dhe do të përfundojë në ironi si formë e parë e sarkazmës që do të hapte këtë udhëtim për të mos mbaruar kurrë as në rrugët e ndezura të shpirtit ku Nero do të bartet nga një hapësirë e kufizuar kohore në tjetrën si paradoks që do të sfidojë çdo gjë që do të jetë nisur e do të kallet qoftë ajo edhe në momentet e normalizuara të njeriut duke ngrënë djathin zviceran apo duke i brejtur markat e fituara të cilat do ta ndryshonin sado kudo rrëfimin apo daljen simbolike nga mikrokozmosi i të zakonshmes të shndërruar tash në një rrëfim të ecjes nëpër kujtesë pa e ditur se ku e as pa arritur të akceptuarit e plotë të trupit që gjithherë si hije do të shihet i bartur në dimensione të ndryshme kohore, por jo edhe aq të largëta me atë që nuk mund të afrohet apo të përfundojë pa u zbrazur me të rëna dhe dridhje të fuqishme në ekuilibrin e të së krijuarës që sado që duket se tundet, në  momente të caktuara, megjithëkëtë nuk del nga shtrati i artit të zakonshëm të të rrëfyerit në procesin krijues që përmban fryma e alegorizmit dhe estetikës në tërësi në sistemin e ngritjes së figurave si njësi të barabarta që nuk mund të tejkalojnë njëra-tjetrën, por që qëndrojnë në një rrafsh të harmonizuar të një forme gjuhësore të zgjedhur dhe të artikuluar në të gjithë artin e të krijuarit që njësohet në të gjitha sferat e zhvillimeve në kohëra që  çojnë drejt formësimit të gjithë materies të përmbledhur dhe të balancuar në një të vetëm dhe të veçantë të këtij libri që përmbledh ecjen në një parantezë që patjetër do të na kthejë te kontrasti i parë gjithmonë si dekompozicion i harmonizuar në rrafshin gjuhësor dhe figurativ në raport me ndërtimin dhe rrjedhën e ngjarjeve të strukturuara në kompleksin ndërtimor dhe estetik të këtij udhëtimi glorifikues në sagën e atyre që nuk e dinin fundin, por që lanë të shihet përpara e gjitha e të krijuarave në rrethana dhe ngjarje të strukturuara brenda kompleksit ndërtimor dhe estetik që mënjanon  pikën  që do të na kujtonte se nuk gjendemi te fundi, por te një fillim i ri që patjetër do të na nxjerrë përsëri në ecjen e frymës së shpirtit të shkrirë në vargje që shpeshherë na bën të ndihemi midis reflekseve të jetës qofshin ato të kënaqshme apo të pakënaqshme që do të shihen ashtu si i sheh poeti dhe jo ashtu si do të dëshironin të tjerët t´i shohin, prandaj askush nuk e di kush i shumëzon gënjeshtrat që do të ngritin më pastaj alegorizmin e hapur te rruga deri te Kuvendi i Llukës, ku ndodh e gjithë ajo katrahurë e një gare famëkeqe të krijesave katërkëmbëshve, qen të tubuar nga zotëruesit e tyre për argëtim, vdekjeprurës, që do ta fuqizonte shenjen e së keqes, e cila ende vazhdon lojën në garë  pa zgjedhur vend e as kohë që në një shoqëri moderne nuk do të duhej të ndodhte, por ja që ndodhkan edhe më shumë gjëra jo të këndshme që Molliqi i sheh e që të tjerët nuk i shohin dhe, ato i bart gjatë gjithë këtij udhëtimi në kujtesë, i cili, siç thamë edhe më parë, jo se nuk do të ndalet, por as që mund  të pushojë karshi zhvillimeve që do të kenë ndodhur më parë dhe tani në rrethana krejt të reja vazhdojnë të ndodhin pa arritur ta sanojnë frymën e të moçmes që gjërave t’u sjellin qasje dhe  kuptim të ri e që e tëra e kësaj dhe e të tjerave që nuk arritëm t´i përfshijmë, nuk do të mund të shihen vetëm si folje dëshirore, si rrugë e arritjes së lirisë për të dalë nga barka e ftohtë e refugjatit, për të pritur në radhë të gjata për bukë që sistemin e shenjave e forcon dhe e shndërron në një frymë revolte të heshtur e që më vonë te E dashura Eva do të mbyllet në të errëtën që do t´i takonte një shenje të një jete jo të zakonshme me përplasje që do të çonin drejt rrezikimit të dinjitetit njerëzor të njerëzve të cilët vijnë nga vende të ndryshme dhe bindje të ndryshme, që të gjithë të gjendur si peshqit mbi rrasë që vala e lumit i përshkon të gjithë njëjtë e ndoshta shpeshherë do t´i bënte edhe me këmbëngulës për atë që atëherë nuk do të jetë arritur e duhej patjetër të arrihet me çdo kusht edhe nëse liria do ta kërkonte edhe jetën e tyre, si çmim dhe gjendje e mëvonshme e kujtesës që nuk vdes kurrë e që do të mundësonte formimin e këtyre elementeve në karaktere dhe imazhe që nxitin motivin qendror të këtij libri si synim të realizueshëm, i cili do të trajtohet nga hapi në hap me një ton luftarak që do të bartet nga vargu në varg dhe do të ndriçojë të kaluarën deri te guri i kufirit pa përjashtuar as të tashmen të përfshirë në pantomoni që mundin pa tjetër fjalimet në foltore, poezitë dhe novelat e sotme e grafitë, që kjo e fundit patjetër të bën të kujtosh edhe realitetin e fenomenit të mundësive të ngushtuara që artistët me sindromin „grafit“ i bëjnë të defilojnë jo nëpër galeri, por diku tjetër në hapësirat publike ku dreqi nuk e njeh të birin e që vazhdimisht këto lidhje lineare të këtyre elementeve gjuhësore shkallëzohen dhe arrijnë deri tek aroma lady që do të bëjë t´i kuptosh ndryshimet pas gjithë ngjarjeve të mëdha që do të kenë ndodhur e do të jenë bartur nga vizita që do t´ia bënte një harte që asgjë nuk do të linte të mbetet në vendin e vet ku do të shënonte përfundimisht shtëpinë ku banon madhësinë e dhomave, emrat e të gjallëve, duke mos lënë anash si gjithherë kujtesën si motiv qendror për moslënien në harresë të të vdekurit që të gjallët më lehtë të mund ta kuptojnë se kah po udhëtojnë tashti veç kur imagjinata dhe ëndrra i bëjnë të ndërrojnë vend në trojet ku mund të mburret me lisat shtatgjatë ku retë e zeza ikën që nën hije të mos mbes atdheu kur ëndrrat lehin pas poetit e ai nuk ka më çfarë t’u jap…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka…