Ujësjellësi “Prishtina” bën thirrje që të paguhen faturat e ujit dhe kanalizimit

25 mars 2020 | 17:23

Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, përmes një komunikate dërguar mediave, ka thënë se si pasojë e paqartësive rreth njoftimeve lidhur me pagesat e shërbimeve publike në kohën kur vendi po përballet me virusin COVID-19, pagesat për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit janë ndërprerë.

Sipas kësaj komunikate, kompania kërkon nga konsumatorët që t’i paguajnë faturat e ujit dhe kanalizimit duke e gjetur një mënyrë për të realizuar një gjë të tillë.

“Arsyet që ju duhet të bëni pagesa për shërbimet janë të shumta si, shpenzimet e energjisë elektrike, shpenzimet e blerjes së ujit të patrajtuar nga NP ‘Ibër Lepenci’ për fabrikën e ujit në Shkabaj, shpenzimet e trajtimit të ujit dhe blerja e kimikateve për procesin e trajtimit fiziko/kimik dhe bakteriologjik të ujit, shpenzimet operative të mirëmbajtjes, pagat e punëtorëve, etj. të cilat kanë një kosto tejet të lartë. Andaj, nëse ju nuk bëni pagesat e faturave, kjo vështirëson likuiditetin e stabilitetit të ndërmarrjes dhe funksionimin e mirëfilltë karshi shërbimeve që ua ofrojmë”, thuhet në komunikatë.

Në fund, KRU “Prishtina” thotë se nëse qytetarët nuk i kryejnë obligimet e veta financiare për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, “në një të ardhme jo shumë të largët, vije deri te rrezikimi i prodhimit dhe ofrimi i shërbimeve me ujë dhe kanalizim”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
  Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të…