Uji nga liqeni i Badocit, sërish ka tendencë për rritje të përqëndrimit të manganit

22 shtator 2025 | 12:45

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), gjatë monitorimit dhe përcjelljes së cilësisë së ujit të pijshëm, më 1 shtator, ka vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.

Analizat e fundit laboratorike tregojnë tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se edhe pse këto vlera e tejkalojnë kufirin e paraparë në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021, cilësia e ujit për konsum nga njeriu, deri më sot ato nuk e kanë tejkaluar standardin shëndetësor që konsiderohet se mund të ndikojë shëndetin e njeriut.

Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKShPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës.

IKShPK-ja thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin.

Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit.

IKShPK ka sforcuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm si dhe bashkëpunimin me KRU Prishtinë për të siguruar ujin cilësor për qytetarët.

KRU “Prishtina” Sh.A. ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme: Zvogëlimin e sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit; Intensifikimin e proceseve të shpërlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar.

Gjithashtu, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura (sipas hartave të prezantuara), KRU “Prishtina” do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit