Ujkani: Sulmi ndaj ‘IPKO’-së, mesazh negativ për investitorët e huaj

25 maj 2020 | 17:10

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, Emrush Ujkani, e ka dënuar sulmin me breshëri plumbash të antenës së ‘IPKO’-së mbrëmë në Banjë të Istogut.

Ai ka thënë se ky dëmtim është shumë diemensional, duke filluar nga dëmet e kompanisë ashtu edhe sa i përket imazhit të Kosovës për investitorë të huaj.

Ujkani në një bisedë për gazetën “Epoka e re”, ka apeluar që të zbardhet sa më shpejt ky rast dhe autorët e sulmit të dalin para drejtësisë.

“Ky sulm përveçse është skandaloz si në aspektin ekonomik, është skandaloz edhe në aspektin e imazhit të Kosovës. Duhet të dënohet menjëherë dhe autorët e krimit të dalin para drejtësisë. S’duhet harruar faktin që ‘IPKO-ja është një nga investitorët më të mëdhenj që nga paslufta dhe ky sulm jep mesazh negativ edhe për investitorët potencial të Kosovës, pra ata që mendojnë të vijnë në Kosovë për të investuar”, ka thënë Ujkani.

Mbrëmë rreth orës 02:10 pas mesnatës është sulmuar me armë zjarri antena e “IPKO”-së në fshatin Banjë të Pejës.

“Rasti ka ndodhur rreth orës 02:10 pas mesnatës. Rasti është raportuar nga një punëtor i ‘IPKO’-s në orën 05:00. Sulmi ka ndodhur me armë zjarri, breshëri plumbash. Nuk dihen akoma arsyet pse ka ndodhur ky sulm. Kemi kontaktuar prokurorin e shtetit dhe jemi duke e hetuar rastin. Nuk kemi të dyshuar lidhur me rastin”, ka bërë me dije zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

(Albulena S. MAVRAJ / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të…