
Ukraina godet me raketa Storm Shadow uzinën kimike ruse
Ukraina ka goditur një uzinë kimike ruse me raketa Storm Shadow, duke iu referuar armës me rreze të gjatë veprimi të prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar. Lajmi u bë me dije nga ushtria ukrainase.
Duke e quajtur sulmin “një goditje të suksesshme” që depërtoi në sistemin rus të mbrojtjes ajrore, shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës tha se ende po vlerësonte rezultatin e sulmit “masiv”.
Kremlini nga ana e tij ka paralajmëruar Perëndimin të mos i japë Ukrainës armë të afta për sulme me rreze të gjatë veprimi, por Kievi thekson domosdoshmërinë e tyre për synimin e objekteve ruse që luajnë një rol kyç në luftën e Moskës kundër Ukrainës.
“Uzina Kimike e Bryansk është një strukturë kyçe e kompleksit ushtarako-industrial të shtetit agresor”, tha ushtria ukrainase në një postim në X të martën.
Sulmi ndodhi në të njëjtën ditë kur kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, dhe udhëheqës të tjerë evropianë u zotuan të “shtojnë presionin mbi ekonominë dhe industrinë e saj të mbrojtjes së Rusisë” derisa udhëheqësi rus Vladimir Putin “të jetë gati të bëjë paqe”.
Një deklaratë e përbashkët e bashkëfirmosur nga udhëheqësit ukrainas, gjermanë, francezë, italianë, polakë, danezë, finlandezë, të BE-së dhe norvegjezë, nënvizonte se “Ukraina duhet të jetë në pozicionin më të fortë, para, gjatë dhe pas çdo armëpushimi”.
Ndërkohë në orët e para të mëngjesit të sotëm, Rusia nisi një sulm ajror në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, sipas kryetarit të bashkisë së qytetit, Vitali Klitschko.
Kujtojmë se Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Aktualisht ajo kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, përfshirë gadishullin jugor të Krimesë, të aneksuar nga Moska në vitin 2014.