Ukraina: Kemi dëshmi të ‘gjurmëve ruse’ në sulmin në Poloni

16 nëntor 2022 | 13:53

Sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Ukrainës, Oleksiy Danilov, ka thënë të mërkurën se Ukraina është e gatshme t’u japë aleatëve të saj dëshmi të “gjurmëve ruse” në shpërthimin e së martës në Poloni.

Pas një takimi urgjent të vendeve anëtare të NATO-s të mërkurën në Bruksel, sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, ka thënë se sulmi i së martës në Poloni me gjasë është shkaktuar nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, por shtoi se Rusia mbetet fajtore pasi ajo e nisi luftën.

Por, zyrtari ukrainas, Danilov, ka thënë se Ukraina po pret t’i marrë nga aleatët informacionet në bazë të së cilave u përcaktua se shpërthimi u shkaktua nga një raketë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, duke thënë se dëshiron të bëhet një “studim i përbashkët i incidentit në Poloni”.

“Ukraina dëshiron qasje të menjëhershme në vendin e shpërthimit”, ka thënë Danilov të mërkurën, një ditë pasi dy persona u vranë në një fshat kufitar shkaku i shpërthimit.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka thënë të mërkurën se nuk ka asnjë indikacion që shpërthimi i së martës në Poloni, që vrau dy persona, të ketë qenë “sulm i qëllimshëm”, duke shtuar se më shumë gjasa ka që të ketë qenë vetëm një fatkeqësi.

Polonia e vendosi ushtrinë e saj në gjendje gatishmërie të shtuar, pas takimit urgjent që mbajti Këshilli i saj i Sigurisë Kombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Manchester City, Erling Haaland, ka emëruar Brazilin, Argjentinën,…