
Ukraina “nën mbrojtjen” e Europës nga SHBA? Reagon Marco Rubio: Europianët do të vijnë si negociatorë, jo për të mbrojtur Zelenskyn nga Trump
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump do të presë ditën e nesërme në Shtëpinë e Bardhë homologun ukrainas, Volodymyr Zelenskyn si dhe udhëheqës të tjerë nga Europa.
Shoqërimi i Zelenskyt drejt Amerikës nga drejtues të BE-së dhe liderë të shteteve të tjera, është komentuar nëpër mediat ndërkombëtare si një përkrahje e Europës për Ukrainën dhe “sigurimin” nga ana e tyre për të mos lejuar arritjen e një marrëveshje në favor të Rusisë.
Këto pretendime janë hedhur sot poshtë nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili në një prononcim për CBS, deklraoi se liderët e tjerë europinë janë ftuar në Shtëpinë e Bardhë si aktorë të përfshirë në tryezën e negociatave dhe jo si mbrojtës të Zelenskyt apo Ukrainës.
“Ky është një rrëfim kaq idiot mediatik që ata do të vijnë këtu nesër sepse Trump do ta detyrojë Zelenskyn të bëjë një marrëveshje të keqe. Ne kemi punuar me këta njerëz për javë të tëra për këto gjëra. Ata do të vijnë këtu nesër sepse zgjodhën të vijnë këtu nesër. Ne i ftuam ata të vijnë”, tha Rubio në “Face the Nation” të CBS.
Rubio gjithashtu komentoi dhe takimin e famshëm të ndodhur në shkurt të këtij viti në Zyrën Ovale ku Trump dhe zv.presidenti JD. Vance patën përplasje me Zelenskyn, Sekretari i Shtetit tha shkurtimisht: “A e dini sa takime kemi pasur që atëherë?”
“Ata nuk do të vijnë këtu nesër për të mos e lejuar Zelenskyn të ngacmohet”, tha Rubio. “Ata do të vijnë këtu nesër sepse kemi punuar me evropianët. Ne biseduam me ta javën e kaluar. Pati takime në Mbretërinë e Bashkuar gjatë fundjavës së kaluar.”