Ukraina: Rusia po dërgon përforcime në Herson

28 tetor 2022 | 11:45

Ushtria ukrainase ka bërë me dije se Rusia është duke grumbulluar trupa në anën e djathtë të bregut të lumit Dnjepër, teksa të dyja palët janë duke u bërë gati për atë që mund të jetë beteja kyçe për qytetin jugor ukrainas të Hersonit.

Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase, ka theksuar se Moska ka dërguar deri në 1 000 ushtarë shtesë,  që i ka mobilizuar së fundi  për të mbushur radhët pas humbjeve të pësuara nga kundërofensiva ukrainase në rajonin e Hersonit.

“Komanda e forcave pushtuese ruse, në mënyrë që të shmangë panikun në mesin e personelit të saj, po tenton me të gjitha mënyrat që të fshehë humbjet në mesin e ushtarëve të saj… Ka një forcim të grupeve të armikut në anën e djathtë të bregut të lumit në territorin e pushtuar përkohësisht të rajonit të Hersonit me mobilizimin e deri 1 000 ushtarëve”, ka thënë shtabi i përgjithshëm përmes një deklarate.

Në deklaratë është thënë se civilët janë duke vazhduar të zhvendosen nga qyteti i Hersonit nga ana e djathtë e bregut të lumit, në atë të majtë.

Ukraina ka vazhduar ofensivën e saj për rimarrjen e rajonit të Hersonit dhe kryeqytetit rajonal me po të njëjtin emër, që forcat ruse pushtuan në ditët e para të luftës, që Moska nisi më 24 shkurt.

Forcat ukrainase kanë rrethuar Hersonin nga perëndimi dhe janë duke sulmuar forcat ruse që gjenden në anën e djathtë të bregut të lumit Dnjepër.

Megjithatë, zyrtarët kanë thënë se moti i keq dhe terreni i vështirë kanë ngadalësuar përparimin e ushtrisë ukrainase në Herson.

Hersoni, që është një prej katër provincave të pushtuara pjesërisht që Rusia pretendon se i ka aneksuar, është rruga e vetme tokësore që çon drejt Gadishullit të Krimesë të cilin Rusia e ka aneksuar paligjshëm në vitin 2014, raporton “Rel”.

Zyrtarët e instaluar nga Rusia në Herson kanë thënë se mbi 70 mijë persona janë larguar nga qyteti, përfshirë anëtarë të administratës rajonale të instaluar nga Moska.

Ushtria ukrainase ka theksuar se gjatë 24 orëve të fundit ka vrarë 44 ushtarë rusë, duke shtuar se forcat ukrainase kanë shkatërruar një depo municionesh dhe një hangar ku ishin të vendosura pajisje ushtarake.

Ky pretendim i Kievit nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Megjithatë, lideri çeçen, Ramzan Kadyrov, që është aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë se 23 ushtarë të tij janë vrarë dhe 58 të tjerë janë plagosur nga sulmet ukrainase gjatë kësaj jave në Herson. Këto lloje deklaratash janë të pazakonshme, pasi forcat pro-ruse rrallë pranojnë humbjet e tyre në fushëbetejë.

Ndërsa në rajonin lindor të Donjeckut, forcat ruse kanë vrarë katër civilë, ka thënë më 28 tetor Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake të këtij rajoni.

Sulmet ajrore ruse, ato me dronë dhe granatimet ndaj infrastrukturës së energjisë ukrainase kanë vazhduar, kanë thënë zyrtarët, duke raportuar se si pasojë e sulmeve, furnizimet me energji në Kiev dhe në qytetet tjera janë ndërprerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Laura Fazliu ka arritur me sukses të kalojë në çerekfinale…