Ukraina sulme me dronë në thellësi të territorit rus në ditën e fundit të zgjedhjeve

17 mars 2024 | 17:09

Ukraina ndërmori një sulm masiv me dronë të dielën ndërsa rusët votonin në ditën e fundit të zgjedhjeve presidenciale që pritet të zgjasin me gjashtë vite të tjera qëndrimin në pushtet të presidentit Vladimir Putin.

Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se ka rrëzuar 35 dronë ukrainas gjatë orëve të natës, përfshirë katër në rajonin e Moskës.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se një dron i pestë pranë aeroportit Domodedovo të kryeqytetit, u rrëzua mëngjesin e së dielës. Nuk pati njoftime për viktima apo dëme.

Sipas ministrisë ruse të Mbrojtjes, dy dronë të tjerë u rrëzuan mbi rajonin Kaluga në jug të kryeqytetit rus dhe në rajonin Yaroslav, në verilindje të Moskës.

Sulmet në rajonin Yaroslav, që gjendet rreth 800 kilometra larg kufirit me Ukrainën, janë ndër sulmet me rrezen më të gjatë që Ukraina ka bërë deri më tani.

Dronë të tjerë ukrainas u rrëzuan në rajonet Belgorod, Kursk dhe Rostov, që kanë kufij të përbashkët me Ukrainën, si dhe në rajonin jugor Krasnodar, njoftoi ministria ruse e Mbrojtjes.

Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov tha se bombardimet ukrainase vranë të dielën një vajzë 16-vjeçare dhe plagosën babanë e saj.

Një dron ra mbi një rafineri në rajonin Krasnodar, duke shkaktuar një zjarr që u fik disa orë më vonë, njoftuan autoritetet rajonale. Një punonjës vdiq nga një infarkt në zemër, thanë zyrtarët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zgjidhja e problemit me monedha false ende nuk është gjetur.…