
“Ukraina të dorëzojë Donetskun”, Financial Times: Oferta që Putin ia bëri Trumpit
Presidenti rus Vladimir Putin, në takimin me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Alaska, kërkoi që Ukraina të tërhiqet nga rajoni i Donetskut si kusht për t’i dhënë fund luftës, shkruan Financial Times, duke cituar burime të shumta të informuara me bisedimet.
Sipas këtyre deklaratave, Putin i tha Trumpit se, në këmbim të Donetskut, ai do të pranonte të ngrinte vijën e betejës në jug, në rajonet Kherson dhe Zaporizhia, ku forcat ruse mbajnë një pjesë të madhe të territorit, dhe se nuk do të niste sulme të reja për të pushtuar zona të tjera.
Trump ia përcolli këtë mesazh Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësve evropianë në një telefonatë mbrëmë. Sipas FT, Trump i nxiti ata të braktisnin përpjekjet e tyre për të detyruar Moskën një armëpushim.
Sipas gazetës, Putin e ka bërë të qartë se nuk ka hequr dorë nga kërkesat e tij kryesore në lidhje me “zgjidhjen e shkaqeve rrënjësore të konfliktit” – gjë që do t’i jepte fund në mënyrë efektive shtetësisë ukrainase në formën e saj aktuale dhe do të ndalonte zgjerimin e NATO-s drejt lindjes.
Forcat ruse aktualisht kontrollojnë rreth 70 përqind të Donetskut, ndërsa pjesa perëndimore e rajonit me një numër qytetesh mbetet nën kontrollin ukrainas dhe është thelbësore për mbrojtjen në frontin lindor.
Burime pranë Zelensky-t i thanë Financial Times se presidenti ukrainas nuk do të bjerë dakord me dorëzimin e Donetskut, por se është gati të diskutojë territorin me Trump në Uashington, ku të dy do të takohen të hënën. Ai është gjithashtu i hapur për diskutim në një takim të mundshëm trepalësh me Trump dhe Putin.
As Shtëpia e Bardhë dhe as zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk komentuan mbi akuzat e Financial Times.