Ukraina vihet në gatishmëri, Rusia nis një valë tjetër sulmesh ajrore

24 mars 2024 | 08:24

Shpërthime të shumta kanë goditur Kievin dhe e gjithë Ukraina është vënë në gatishmëri pasi Rusia nisi një valë sulmesh ajrore.

Kështu raportojnë mediat e huaja, sipas të cilave, rajoni i Lviv në kufi me Poloninë ishte gjithashtu në shënjestër dhe një nga raketat hyri në hapësirën ajrore polake, thanë forcat e armatosura të vendit.

Sulmet nisën në kryeqytet në orën 05:00, vënë në pah mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ushtria ukrainase tha se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore ishin të angazhuara në zmbrapsjen e sulmit.

Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, theksoi se rreth një duzinë raketash ruse ishin shkatërruar mbi kryeqytetin dhe në afërsi të tij.

Nuk ka raportime për viktima apo dëme të mëdha si rezultat i sulmeve, shtoi ai në një deklaratë në Telegram.

Ndërsa Andriy Sadovyi, kryebashkiaku i Lviv, tha në Telegram se vetë qyteti nuk ishte goditur.

Megjithatë, rreth 20 raketa dhe shtatë dronë sulmues ishin lëshuar kundër rajonit më të gjerë të Lviv, duke synuar “infrastrukturën kritike”.

Ukraina ishte vendosur më herët në alarm mbarëkombëtar që paralajmëroi për lëshimin e raketave nga bombarduesit strategjikë rusë.

Ndërkohë, Polonia bëri të ditur se hapësira e saj ajrore ishte shkelur nga një nga raketat e lëshuara nga Rusia.

“Objekti hyri në hapësirën polake pranë qytetit Oserdow dhe qëndroi atje për 39 sekonda. Gjatë gjithë fluturimit, ai u vëzhgua nga sistemet e radarëve ushtarakë”, citohet të kenë thënë forcat e armatosura në një deklaratë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këtë të diel bëhen 26 vjet nga zhvillimi i betejës…