Ulja ekonomike deri në 12 për qind mund të jetë fatale për Kosovën

30 maj 2020 | 08:32

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK-së), Gazmend Abrashi, thotë se rënia ekonomike si pasojë e koronavirusit në Kosovë mund të shkojë deri në 12 për qind. Ai deklaroi se në bazë të të dhënave të Bankës Botërore, ulja prej 12 përqindësh për një buxhet siç e ka Kosova është problem shumë i madh.

“Informatën që e ka dhënë Banka Botërore është shumë pesimiste. Ne presim rënie ekonomike deri në 12 për qind, i cili, në shikim të parë, kur shihet kjo përqindje, nuk është shumë i madh sesi ka qenë. Në tre muajt e parë kemi qenë të bllokuar, por kjo 12 përqindje për një buxhet relativisht të varfër çfarë e kemi pasur është një problem shumë i madh, të cilit, nëse nuk i paraprihet me masa të reja ekonomike, mundet me qenë edhe katastrofal.

Problemi më i madh, të cilën unë e parashoh është që Kosova ka pasur tradicionalisht të hyra serioze prej remitencave, të cilët, fatkeqësisht, edhe ato janë prekur nga pandemia. Prej remitencave ekonomia e Kosovës ka pasur përfitime të mëdha, sidomos ndërtimtaria ka qenë dega kryesore që i ka dhënë një revolucion të madh”, ka thënë Abrashi.

Teksa ka folur për masat emergjente që ka ndërmarrë qeveria në detyrë, Abrashi thotë se as 50 për qind e tyre nuk iu gëzuan këtyre mjeteve. “Masa emergjente që e ka proklamuar qeveria, fatkeqësisht, nuk është realizuar ashtu siç është premtuar. Premtimi ka qenë që do të jepen në ekonomi 170 milionë euro, 50 për qind të kësaj mase është ekzekutuar, pjesa tjetër është politizuar e që sot e kësaj dite ata që kanë dhënë premtime nuk e kanë mbajtur premtimin”, ka treguar ai.

Deputeti i AAK-së ka thënë se masat e marra nga qeveria në detyrë pas pandemisë së koronavirusit nuk janë të mjaftueshme dhe se zbatimi i tyre po shkon shumë ngadalë.

“Ne kemi dalë me një ide para një muaji, sidomos unë e kam proklamuar me pompozitet këtë ide, duke marrë parasysh që emergjencë nënkupton diçka që duhet të ndodhë urgjent. Një kohë të gjatë, qeveria në largim i ka detyruar punëtorët e sektorit civil të qëndrojnë në shtëpi dhe ua ka paguar pagat, ndërsa sektorin privat e ka privuar të merret me aktivitete ekonomike.

Gjatë tërë kësaj kohe askush nuk është marrë me masa emergjente. Nëse dikë e ke detyruar të qëndrojë në shtëpi, ne e kemi dhënë propozimin që secilit qytetar t’i dhurohen nga 100 euro, e cila kur është analizuar në tërësi, ka qenë 500 euro për familje dhe e cila në një mënyrë e obligon qytetarin të qëndrojë në shtëpi, në të njëjtën kohë ia siguron një ekzistencë minimale”, ka thënë Abrashi në një intervistë për EO.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kimete Berisha   U bë fati i Albin Kurtit si…