
Ultimatumi i Trump për paqen po skadon, Moska e vendosur të vazhdojë luftën
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pak gjasa t’i bindet ultimatumit të homologut amerikan, Donald Trump, për të pranuar një marrëveshje paqeje me Ukrainën, ose përndryshe do të përballet me sanksione të reja.
Ultimatumi skadon të premten, por burime të afërta me Kremlinin, të cituara nga agjencia e lajmeve Reuters, thonë se shefi i Moskës nuk pritet t’i përulet Trumpit dhe nuk ka hequr dorë nga synimi për pushtimin e plotë të katër rajoneve në Ukrainë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka kërcënuar të vendosë tarifa prej 100 përqind ndaj vendeve që blejnë naftë ruse, si Kina dhe India, nëse Putini nuk dakordohet për t’i dhënë fund luftës.
Sipas tre burimeve me dijeni për bisedimet në Kremlin, vendosmëria e Putinit për të vijuar luftën ushqehet nga besimi i tij se Moska po fiton dhe nga skepticizmi nëse sanksionet e tjera do të kenë ndonjë ndikim, pas penaliteteve të shumta ekonomike gjatë luftës mbi trevjeçare.
Siç pohojnë burimet, presidenti rus nuk dëshiron ta zemërojë Trumpin dhe ai e kupton se mund të jetë duke i vënë shkelmin mundësisë për të përmirësuar marrëdhëniet me Uashingtonin dhe Perëndimin, por qëllimet e tij në luftë kanë përparësi.
Kremlini nuk iu përgjigj kërkesës për koment lidhur me raportimet.
Sipas Reuters, të tre burimet e cituara folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës.
Ndërkohë, Rusia akuzoi Shtetet e Bashkuara të martën se po ushtronin presion të paligjshëm ndaj Indisë, pasi Trump kërcënoi sërish të rriste tarifat ndaj Nju Delhit nëse nuk hiqte dorë nga blerja e naftës ruse.