
“Unaza e Jashtme është projekt elektoral”, “Qyteti kurrë nuk ka qenë më i ndriçuar”, “Kosto shumë e lartë e jetesës” – Çka u diskutua në debatin e parë për Prishtinën
Në përballjen e parë televizive para zgjedhjeve komunale të 12 tetorit në “Rubikon” të Klan Kosovës, kandidatët për Prishtinën artikuluan qasje të ndryshme për drejtimin e kryeqytetit: nga mega-projektet, rezultatet e menjëhershme, deri te adresimi i kostos së lartë të jetesës në kryqytet.
Kandidati i PDK-së, Uran Ismaili, kritikoi qasjen e kundërshtarit të tij për “mega-projekte” që, sipas tij, janë të paarritshme në afat të shkurtër dhe shërbejnë më shumë për marketing elektoral sesa për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Sipas tij, kjo është edhe linja ndarëse me Përparim Ramën:
“Unaza e Jashtme është pikërisht në ato projekte që i bëjmë si procese elektorale, i sjellim si projekte elektorale, e në anën tjetër në Prishtinë vuajmë në një realitet tjetër. Kjo tregon qasjen që unë e kam dhe projekte të tilla i kam ndalë, jo pse nuk është një projekt që i nevojitet Prishtinës, por që nuk mund të realizohet në vitet e ardhshme, e në realitet ne po mbesim prapa me krejt atributet tjera të një qyteti. Po flasim për mega-projekte.”
Ai theksoi se qytetarët kërkojnë zgjidhje konkrete për problemet e përditshme:
Për qasjen time dhe mendoj që kjo është e drejtë. E drejta pra është që të futesh në situatë ku rrugët e Prishtinës kanë ndriçim, ku janë të sigurta, ku qytetarët e Prishtinës nuk frikohen nga qentë endacakë, ku qytetarët kanë shkolla të mjaftueshme dhe jo propozime që shkollat do të ndodhin. Ku nënat janë në gjendje me i dërguar fëmijët në çerdhe dhe të mos privohen nga ideja që nuk mund të shkojnë në punë për shkak të mungesës së çerdheve.”
Ai shtoi se në asnjë takim me qytetarë nuk është kërkuar “Unaza e Jashtme”, por kërkesa kryesore kanë qenë rrugët e ndriçuara, trafiku i menaxhuar dhe lagjet më të pastra.
“Në çdo lagje që kam vizituar s’ka asnjë vend në të cilin më kanë thënë: ‘Uran, a mundesh me u marrë me Unazën e Jashtme?’. Të gjithë kanë kërkuar që Prishtina të jetë e pastër, e ndriçuar, trafiku të mos jetë i bllokuar, rrugëve t’u jepet zgjidhje. Këto janë dallime të mëdha që i kam unë dhe Përparimi.” – tha Ismaili.
Nga ana tjetër, kryetari aktual dhe kandidati i LDK-së, Përparim Rama, mbrojti qasjen e tij si “të orientuar drejt zhvillimit afatgjatë” dhe theksoi arritjet e mandatit të tij.
Për çështjen e qenve endacakë, Rama përmendi ulje me rreth 2 mijë, ndërsa shtoi gjithashtu se Prishtina nuk ka qenë “kurrë më e ndriçuar”.
“Është e vërtetë që kemi ndryshime të mëdha. Unë jam kryetar i projekteve të mëdha, ndërsa zoti Ismaili përmend gjëra të vogla që i bën një drejtori në kryeqytet. Rrugët të cilat kanë qenë të pandriçuara, kurrë si sot nuk ka qenë më e ndriçuar Prishtina. Sa i përket qenve endacakë, e dini që sot janë 2 mijë qen endacakë më pak në rrugët tona. 2 mijë qen janë të adaptuar. Ky është një proces inovativ që ka krijuar siguri shtesë. Do të vazhdonte po të mos e kishim buxhetin e bllokuar nga qeveria. Po ashtu, ne veçse i kemi ndërtuar dy çerdhe në ndërtim e sipër. Prishtina ka nevojë të jetë e pastër? Pyeteni Uran Ismailin pse nuk është e pastër – sepse unë ia lë fajin pikërisht atij pse nuk është e pastër.” – tha Rama.
Debati ndërmjet dy kandidatëve u përqendrua në dilemen mes “vizionit afatgjatë” dhe “realitetit të përditshëm”.
Ismaili i quajti projektet e Ramës “plane 206, 208 apo 210 milionëshe që nuk prekin jetën e qytetarëve sot”, ndërsa vetë u zotua se do të fokusohet në çështje bazike.
“Kjo tregon pak për mendësinë për projektet 206, 208, 210 milionëshe e pritoret thotë se do t’i ndërrojmë në mandatin e radhës. Domethënë, në vitin e pestë, gjersa krejt Kolovica, gratë dhe burrat presin në shi e në borë, në Mat, Matiqan presin në shi e në borë. Mirëpo, me rëndësi është që ne të flasim 206, 208 milionë. Unë krenohem të merrem me çështje që i brengosin qytetarët. Nga 1800, 1200 rrugë janë të pandriçuara në Prishtinë.” – deklaroi Ismaili.
Kandidatja e PSD-së, Besa Shahini, e zhvendosi debatin nga infrastruktura te kriza sociale e kostos së jetesës, me theks të veçantë te banimi. Shahini tha se dy kategoritë e shpenzimeve që po e godasin më shumë qytetarin e Prishtinës janë arsimi dhe banimi.
“Problemi kryesor sot në Prishtinë është kosto shumë e lartë e jetesës. Janë dy kategori shpenzimesh që më së shumti e rëndojnë buxhetin familjar – janë shpenzimet për arsimet; qerdhe, kopshte private, qëndrim ditor, transporti shkollor, por më e madhja është pjesa që shkon drejt banimit. Familjet sot në Prishtinë shpenzojnë një pjesë të madhe të hyrave të tyra si per qera. Kot merremi me projekte si tramvaji apo mbikalimi apo nënkalimi nëse ne i kemi dy probleme thelebësore në Prishtnë; një që banimi është i papërballueshëm.” – tha Shahini.
Shahi e akuzoi Ramën se ka dështuar të realizoj projektet e mëdha për të cilat ishte zotuar në fillim të mandatit.
“Herën e parë kur ka garuar i ka pasur disa fotografi të bukura se qysh ish dashtë me u duke qyteti – qyteti nuk është as afër realizimit të tyre. Tash e shohim dhe e dimë në bazë të kësaj se çka realisht mund të bëhët në katër vitet e ardhshme.”
Shahini shtoi se Prishtinës i nevojite 30 çerdhe të reja, të cilat i konsideroi të domosdoshme.
“E kemi bërë një kalkulim të thjeshtë. Sot, më pak se 10 për qind e fëmijëve nga o deri në 6 e vijojnë mësimin, pra nuk shkojnë as në kopshte ose çerdhe publike/private”, tha ajo. “Duhet dyfishim i këtij numri për ta tejkaluar krizën emergjente për kujdesin e fëmijërisë së hershme”, tha ajo./Nacionale