UNË E MUNDA COVID-19

28 korrik 2020 | 08:26

(Parodi alla agolliançe)

Ragip Gjoshi

1.
Miq, për ju dhe për vete u zura me Covid-19
Fjalë të rënda këmbeva me këtë farë kinezi, a kush ia di rrënjën
E kam nënçmuar shumë
Por Covid-19 ishte hiçburrë dhe ishte edhe i pabesë

U bëmë bashkë unë, dr. Lazëri, deputetja Eliza dhe i gjithë stafi mjekësor i Klinikës së Infektologjisë në Prishtinë
Po s’mundej lehtë ky armik i padukshëm i njerëzimit
Megjithatë një ditë e zura për fyti,
E shtrëngova fort derisa i dolën sytë duq atij,
E mua e mjekëve na rrodhën djersët çurg

Cub Global e pagëzova Covid-19
Ai ma tundte para syve shpatën e vdekjes
Të gjithëve përnjëherë dua t’ua presë kokën na thoshte
Dhe gjëmën do t’ua bëjë për një ditë

Na kërcënoi Cubi sërish
E unë bashkë me armatën e QKUK-së vazhduam të përfytemi me të
Për 21 ditë me radhë

Betejën e parë me të e kisha nisur në Flamuras
Atje deshi të më mashtrojë – tradhtoi
Erdha në Prishtinë dhe u armatosa
Qëndrova dhe luftova
Kësaj radhe jo vetëm

2.
Dua të jem i sinqertë,
kësaj radhe me këtë cub u zura jo për Globin,
por u zura për hallin tim
Për të mos u ndier nipërit e mbesat se gjyshi tregoi nënshtrim

Që nipërit e mbesat të nderojnë sfidën time të radhës
Dhe pritë njëri-tjetrit i zumë
Por Cubi Global kishte zënë pusi tinëzare

Nuk dorëzohej në malet me shkrepa të organizmit tim
Dhe unë herë-herë i bëja lëshime
E mundoja vetveten dhe Cubin Global
Brenda e mbaja që ta rrëmbeja për fyti
Bëhen gati të gjitha repartet e mjekëve në Prishtinë

U vetëshpalla në këtë betejë komandant i çlirimit të shpirtit tim dhe shpirtrave të tjerë që qëlluan në spital me mua
Sa Cubi Global ma tundte shpatën e Demokleut
E zura fort kësaj radhe derisa me të vërtetë u dorëzua ai, jo unë
Më ndihmuan dr. Saliu, dr. Fitimi, dr. Rexha, dr. Hatixhja, dr. Ajazaj e shumë të tjerë

Lëshoi gjëmën e fundit e shkumën e fundit jargiste
Nuk dëshirova të mbetem si Migjeni në
Torre Pellice…

3.
Meqë u zura me Covid-19 dhe e munda
Ai mburrej me dredhi cubiane
E unë me këmbëngulësinë për ta mundur

Jam hedhur për trashëgimtarët në flakë,
Cubit Global shpatën nga dora ia rrëmbeva
Dhe ia hodha në mes oqeanesh
Dhe unë thirra sa pata fuçi:
E munda Covid-19!

E munda Cubin Global
Dhe të gjithëve u thashë:
Mbani pastërti!

Mbani distancë
Mbani maskë
Ruajeni vetveten
Ruajeni botën

Prishtinë, 27 korrik 2020
Shkruar në Klinikën e Infektologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rishikimi i buxhetit sot do të jetë një ndër pikat…