Uniforma e satrapit dhe kostumi i demokratit (10)
INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (10)
Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së dhjetë, ka folur për përmbysjen e regjimeve komuniste në kontinentin evropian dhe shpartallimin e Bllokut Socialist që nxori në shesh krimet monstruoze që ishin bërë gjatë sundimit të tyre. Ai ka theksuar se duke qenë në të gjitha strukturat e pushtetit dhe duke pasur monopol edhe në mediet e kontrolluara prej tyre, komunistët e shfrytëzuan kontekstin e ri për t’i hequr “uniformat e satrapit” dhe për ta veshur “kostumin e demokratit”’. Bardhyl Mahmuti ka pohuar se gjatë kohës së shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë, “terrorizmi me motive fetare” ishte kualifikimi më negativ në kontekstin politik ndërkombëtar.
“Epoka e re”: Për ata që njohin historinë e rezistencës kombëtare shqiptare, epiteti “i majtë” ka hyrë vonë në arsenalin propagandistik të luftës kundër organizatave patriotike shqiptare. A mund të na thoni se kur dhe nga kush keni filluar të cilësoheni si “të majtë”?
Bardhyl Mahmuti: Rrënimi i imazhit të kundërshtarit dhe nxitja e mosbesimit ndaj tyre në qarqe politike me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare përbën njërën nga shtyllat e rëndësishme të strategjisë në luftën politike. Në funksion të kësaj strategjie në të gjitha periudhat vendimtare historike që lidhen me fatet e popujve në Ballkanin Perëndimor, armiqtë tanë përdorën atributet më negative të kohës për t’i cilësuar shqiptarët. Kështu për shembull: Në periudhën e krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan, shqiptarët stigmatizoheshin nga serbët dhe nga grekët si “mbeturina të Perandorisë Otomane, që dëshironin ta ruanin praninë e Turqisë në Europë”; Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas përfundimit të saj, shqiptarët cilësoheshin si “shërbëtorë të nazi-fashistëve”; Në kohën kur Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSFJ) kishte marrëdhënie të mira me Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), shqiptarët përndiqeshin si “antikomunistë”; Pas prishjes së marrëdhënieve me BRSS (1948), shqiptarët përndiqeshin si “stalinistë”; Pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, shqiptarët u akuzuan si “nacionalistë”, “irredentistë”, “separatistë”; Përmbysja e regjimeve komuniste në kontinentin evropian dhe shpartallimi i Bllokut Socialist nxori në shesh krimet monstruoze që ishin bërë gjatë sundimit të tyre. Duke qenë në të gjitha strukturat e pushtetit dhe duke pasur monopol edhe në mediet e kontrolluara prej tyre, komunistët e shfrytëzuan kontekstin e ri për t’i hequr “uniformat e satrapit” dhe për ta veshur “kostumin e demokratit”’. “Konvertimi” i tyre “në demokratë” nuk u kufizua vetëm në “braktisjen” e doktrinës komuniste, por u lëshuan në një ofensivë mediatike të tërbuar për t’i stigmatizuar si “marksistë-leninistë-stalinistë-enveristë” të gjithë “nacionalistët”, “separatistët” dhe “irredentistët” e dikurshëm që synonin t’ua prishnin vëllazërim-bashkimin komunist! Gjatë kohës së shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë, “terrorizmi me motive fetare” ishte kualifikimi më negativ në kontekstin politik ndërkombëtar. Për këtë arsye, përpjekja për ta prezantuar UÇK-në si “organizatë terroriste me pikëpamje fondamentaliste islamike” përbënte njërën nga shtyllat kryesore të orientimit propagandues të Shtabit Strategjik të regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Dhe sado e pabesueshme t’i duket dikujt që një grup i caktuar të stigmatizohet në të njëjtën kohë si organizatë e orientimit “fondamentalist islamik” dhe si “e majtë ekstreme e tipit stalinist të Enver Hoxhës”, pra ekstremist fetar dhe ithtar i ideologjisë që kishte ndaluar besimin fetar në Shqipëri, më shumë se gjysma e “Librit të bardhë”, botimi i vitit 1998, është propagandë që synonte të krijonte opinion e vendeve demokratike perëndimore se gjoja UÇK-ja ishte organizatë “marksiste-leniniste-staliniste-enveriste-fondamentaliste islamike”!
“Epoka e re”: Në vijim do të bisedojmë edhe rreth termeve të tjera që u përdorën në luftë për të krijuar dyshime rreth orientimeve politike dhe ideologjike të UÇK-së, mirëpo tani po ndalemi në termin “marksist-leninist”, i cili është përdorur edhe nga organizata të fshehta në Kosovë. Në çfarë kuptimi mund të përdoret kjo doktrinë në kuadër të një lëvizjeje çlirimtare kombëtare?
Bardhyl Mahmuti: Në dallim nga sistemet politike demokratike ku forca të orientimeve të ndryshme politike dhe ideologjike konkurrojnë haptas për pushtet, në vendet ku pushteti është në duar të një partie politike dhe ku me ligj ndalohet çfarëdo forme e organizimit tjetër politik, kundërshtarëve të këtij pushteti u mbetet vetëm mundësia e organizimit fshehtas. Për kontekste të tilla politike Marksi dhe sidomos Lenini kanë vënë parimet dhe modalitetet mbi bazën e të cilave mund të organizohet rezistenca e fshehtë. Pikërisht mbi bazën e parimeve të organizimit “në treshe” funksiononin të gjitha grupet dhe organizatat atdhetare në viset shqiptare nën Jugosllavi.
Parimet marksiste-leniniste të organizimit aspak nuk kanë të bëjnë me ideologjinë e Marksit dhe Leninit, por kufizohen vetëm në formën e organizimit të fshehtë në regjimet absolutiste dhe totalitare. Pa marrë parasysh orientimin ideologjik, këto parime të organizimit mund t’u hyjnë në punë organizatave që shkojnë nga “e majta ekstreme” e deri tek “e djathta ekstreme”.
Për ta bërë më të qartë për lexuesin se parimet marksiste-leniniste të organizimit nuk kanë asgjë të përbashkët me ideologjinë marksiste-leniniste po marr një shembull të shfrytëzimit të këtyre parimeve organizative nga një organizatë me pikëpamje ideologjike diametralisht të kundërta me pikëpamjet marksiste-leniniste! Në fund të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ’70, juristi boshnjak Alia Izetbegoviq, i cili gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë ishte president i Bosnjë-Hercegovinës, hartoi platformën politike të titulluar “Islamska deklaracija” (Deklarata islame). Në këtë material z. Izetbegoviq shtroi parimet e funksionimit të shtetit mbi bazën e islamit sunit, ku pushteti do të ishte në duar të teokratëve që do ta zbatonin sheriatin. Në pamundësi të organizimit publik të një force politike që do të mbështeste këtë platformë, organizimi u bë fshehtas në përputhje mbi parimet e marksiste-leniniste të funksionimit “në treshe”. Në të ashtuquajturin “Proces i Sarajevës”, anëtarët e grupit të Alija Izetbegoviqit u dënuan si “fondamentalistë islamikë” e jo si “të majtë” që kanë përdorur formën “marksiste-leniniste” të organizimit, sepse komunistët jugosllavë e ruanin për vete atributin “të majtë”.
Nëse u hedhim një sy aktakuzave dhe aktgjykimeve të qindra grupeve dhe organizatave patriotike shqiptare në Jugosllavinë Socialiste, do të bindemi se në asnjë rast të vetëm dhe askush nuk është dënuar si “marksist-leninist” por, e përsëris, si “nacionalist”, “irredentist” dhe “separatist”. Megjithatë nuk mund të përjashtohet mundësia që në mesin tonë ka pasur edhe ithtarë të kësaj doktrine politike. Mirëpo Lëvizja Popullore e Kosovës ka këmbëngulur në unitetin e kombit shqiptar dhe lënien anash të dallimeve brenda shqiptare. Për LPK-në çlirimi i vendit ka qenë parakusht për krijimin e rrethanave ku çdonjëri do të kishte mundësi të përcaktohej politikisht dhe ideologjikisht për atë forcë politike që i pëlqen. Dhe ashtu ndodhi. Pas përfundimit të luftës, një pjesë e anëtarëve të LPK-së krijuan PDK-në (të orientimit politik “qendër”), një pjesë u angazhua në AAK (“e djathtë”), një pjesë krijoi Partinë Socialiste (“e majtë”), ndërsa disa vazhduan ta ruajnë LPK-në si lëvizje atdhetare jashtë përcaktimeve ideologjike.
“Epoka e re”: Megjithatë propaganda serbe që ju stigmatizonte me epitete të “izmave” të ndryshme nuk mbeti pa efekte as në rrafshin e brendshëm, as në atë ndërkombëtar.
Bardhyl Mahmuti: Nëse flasim për hapësirën shqiptare, në vend që të turpëroheshin për shërbimet që u kishin bërë okupatorëve dhe të kërkonin falje publike për veprimet e tyre antishqiptare në kuadër të pushtetit komunist jugosllavë, ata u lëshuan në një fushatë të tërbuar kundër nesh. Sidomos ata anëtarë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, të përkatësisë etnike shqiptare, të cilët vazhduan të marrin udhëzime nga Beogradi. Madje edhe sot e kësaj dite, një çerek shekulli nga përfundimi i luftë, pjella e komunistëve jugosllavë vazhdon t’i stigmatizojë luftëtarët e lirisë me epitete të ndryshme! Fatkeqësisht argatët shqiptarë të komunistëve jugosllavë kanë pasur një ndikim tepër negativ edhe në skenën politike ndërkombëtare, sepse epitetet që na ngjiteshin nga propaganda serbe përforcoheshin nga goja e shërbëtorëve “shqiptarë” të okupatorit dhe ua shtonin besueshmërinë.
“Epoka e re”: A ka pasur masa konkrete kundër jush nga shtetet e demokracive perëndimore që mund të konsiderohen si rezultat i propagandës së tillë?
Bardhyl Mahmuti: Po. Përkundër asaj se LPK-ja asnjëherë nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim që do të mund të hynte në kategorinë e akteve ekstreme, në disa raporte vjetore të Zyrës Federative për mbrojtje të Kushtetutës në Gjermani (Bundesamtesfür Verfassungsschutz), që ka për mision, ndër të tjera, edhe identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve që i kanosen këtij shteti nga grupet politike ekstremiste dhe nga terrorizmi, figuron edhe LPK-ja.
Madje gjatë momenteve vendimtare të luftës sonë çlirimtare, njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e LPK-së, Ibrahim Kelmendi është dashur të lajmërohet çdo javë që të diskutojë me zyrtarë të këtij institucioni lidhur me aktivitetet tona për të vlerësuar nëse kemi kaluar “vijat e kuqe” që kishin përcaktuar ndaj nesh. Ndërkaq, në muajin korrik të vitit 1998, u bastisën zyrat e fondit “Vendlindja thërret” dhe banesat e veprimtarëve Agush Buja, Shaban Muja dhe Mehmet Bislimi, i cili në momentet e bastisjes së banesës së tij nuk ishte në Zvicër. Po atë ditë, në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, grupi diplomatik i UÇK-së organizoi konferencë me gazetarët e akredituar në këtë institucion ndërkombëtar dhe paralajmëroi protesta masive në të gjitha qytetet kryesore të Zvicrës. Fatmirësisht Agush Buja dhe Shaban Muja u liruan dy orë pas përfundimit të konferencës sonë dhe nuk pati nevojë të bëjmë asnjë demonstratë proteste. Mirëpo kontoja e fondi “Vendlindja thërret” u bllokua nga autoritetet zvicerane dhe u detyruam të hapnim konte të re në një bankë alternative. Pas një kohe të shkurtër edhe ajo konto u bllokua…
“Epoka e re”: Domethënë keni pasur edhe presione të drejtpërdrejta?
Bardhyl Mahmuti: Po ju përmend edhe një rast që flet shumë për këto forma presionesh që bëheshin ndaj nesh. Në kohën kur delegacioni i Kosovës kërkonte përfshirjen e referendumit në marrëveshjen si instrument për vendosjen e statutit politik përfundimtar të Kosovës, Gjermania e bllokoi xhirollogarinë e fondit “Vendlindja thërret” në këtë shtet. Pas disa ditësh, zyrtari gjerman i institucionit të lartpërmendur kontaktoi me Ibrahim Kelmendin dhe kërkoi të dinte nëse vendimi i bllokimit të xhirollogarisë kishte ndikuar te delegacioni i UÇK-së. Mirëpo ai ishte shtangur kur kishte marrë vesh nga Ibrahim Kelmendi se për vendimin e tillë as që i kishim informuar delegacionin e UÇK-së, për ta kursyer nga presioni.
(Muhamet Mavraj / Vijon)